“Shqipëria duhet të bëjë shumë kujdes me ‘Sherrin’!”
Nga Malta/ Arben Lufi
Kështu quhet shpresa e Maltezëve për ndeshjen e se mërkurës ndaj Shqipërisë. Në maltisht emri shkruhet Scerri, por shqiptohet si ‘sherri’ jonë. 24 vjeç, 1.85 i gjatë, 85 kg numri 18 i ekipit kombëtar është lojtar shpërthyes dhe i fuqishëm. Ka vulosur se është shpresa e Maltës për të mërkurën, kur para tre ditësh shënoi dy gola në ndeshjen miqësore që kombëtarja e Malteze zhvilloi në stadiumin e saj ndaj ekipit hungarez të Ferencvaroshit. Scerri shënoi dy prej tre golave (3-1), me të cilat kombëtarja e Maltës arriti një sukses jo aq të shpeshtë në sfidat ndërkombëtare. Për të mësuar më shumë për Scerrin, biseduam me trajnerin e tij e në ekipin ‘Hibernians’ që për koincidencë është shqiptar. Ai quhet Edmond Lufi. “Scerri është ndër ata të rinj që futbollin e kanë në gjak”, - më thotë trajneri shqiptar i cili së bashku me anglezin Mark Miller e kanë dërguar ‘Hibsin’ në krye të Premier Ligës malteze. “Siç ndodh shpesh me talentet, ai nuk të jep përshtypjen se impenjohet plotësisht në stërvitje, madje edhe disa herë është ndëshkuar për këtë. Por në fushë është frika e çdo mbrojtësi. Për momentin ai po kalon një periudhë të shkëlqyer në karrierën e tij, duke qenë golashënuesi më i mirë i kampionatit maltez me 16 gola. Ai mund të jetë kërcënimi kryesor për Shqipërinë, sepse është shumë i fortë fizikisht, ndërron shpejtësi në mënyrë të habitshme dhe dallohet me goditjet në ajër. Në ndeshjen ndaj Ferencvaroshit ai shënoi dy gola dhe përgatiti të tretin. Duhet bërë kujdes me të”. Dhe ne shpresojmë që Scerri i Maltës të mos na bëjë ‘sherr’! Më tej, trajneri shqiptar i Hibernians, Edmond Lufi fol edhe për ndeshjen e 11 shkurtit midis Maltës dhe Shqipërisë.
Po çfarë mendimi ke për ndeshjen e së mërkurës?
Maltezet duken shumë optimistë për të marrë pikë nga kjo ndeshje dhe për këtë janë përgatitur seriozisht. Terence Scerri së bashku me Michael Mifsud (lojtar i Barnsley-t), që nuk erdhi të luajë ndaj Ferencvaroshit, mund të shkaktojnë probleme në prapavijat e Shqipërisë. I pari ka fuqi dhe shpejtësi, tjetri ka shpejtësi dhe zhdërvjelltësi në lëvizje. Në përgjithësi skuadra shqiptare duhet të presë presing në mesfushë dhe lojë agresive. Kapiteni Gilbet Agius është një pikë referimi në këtë repart me pasime cilësore në drejtim të sulmuesve te tij.
Po cila është pika e dobët tek maltezët?
Mbrojtja është reparti ku Maltës i mungon shpejtësia dhe cilësia. Për t’u dalluar aty është forca e Luke Dimech dhe Andrei Agius, që luan në Igea Virtus, Messina. Janë mjaft të ngadaltë në qendër, por edhe krahët paraqiten të dobët.
Në portë Dushan Fitzel mund të preferoje Andreë Hogg, i cili luan me kampionët në fuqi Valletta, kundrejt Justin Haber (Sheffield United), që nuk po luan rregullisht me ekipin anglez.
Si mund të jetë moduli i tyre taktik ndaj Shqipërisë?
Duhet të luajnë klasiken 4-4-2, duke pasur parasysh se kërkojnë të arrijnë rezultat pozitiv.
Çfarë mendon për paraqitjen e Shqipërisë?
Shqipëria ka arritur rezultate shumë të mira në këto eliminatore. Po të shohim në “Ta’Qali” atë impenjim që pamë ndaj Portugalisë, mundësitë janë të gjitha për një rezultat shumë pozitiv. Ku i dihet, sot Shqipëria ka të drejtë të pretendojë të jetë edhe në fazën finale të një Botërori, nëse çdo ndeshje konsiderohet si vendimtare për këtë. Presim të shohim vlera të vërteta të mërkurën.