SHBA interesohet për zgjedhjet
Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Hilari Klinton, interesohet për garën zgjedhore në Shqipëri. Një ditë pas takimit të tyre, “Zëri i Amerikës” zbardh pjesë nga biseda e zyrtares së lartë amerikane me kryeministrin Sali Berisha. VOA citon një zyrtar të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka qenë i pranishëm në këtë takim. Sipas zyrtarit, Klinton kishte ngritur çështjen e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri “duke shprehur preokupim për sa i përket ndershmërisë në fushën e lojës”. Berisha, tha ai, e siguroi Sekretaren e Shtetit se do të bënte gjithçka të mundur që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta, duke ftuar vëzhgues dhe se do të “respektojë plotësisht vullnetin e popullit shqiptar”. Zyrtari i lartë i DASH-it tha se Klinton u shpreh shumë e gëzuar për faktin që Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s. Gjithashtu Sekretarja e Shtetit e falenderoi kryeministrin e Shqipërisë për kontributin e vendit të tij në Afganistan. Sipas këtij burimi në takim u diskutua rreth planeve amerikane për ta mbyllur objektin e paraburgimit në bazën Guantanamo si dhe për statusin e ardhshëm të personave që mbahen atje. Por ai nuk tha nëse Klinton i kishte kërkuar Shqipërisë që të pranojë më shumë ujgurë ose persona të tjerë që mbahen në Guantanamo, duke e quajtur këtë një çështje tepër sensitive. Sipas zyrtarit, kryeministri Berisha falënderoi Shtetet e Bashkuara lidhur me përpjekjet që bënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke thënë se këto përpjekje ishin “jetike”. Një tjetër çështje e diskutuar në këtë takim ishte edhe ligji i “Dosjeve”. Zyrtari i pranishëm në takim tha se Berisha diskutoi në hollësi të konsiderueshme me zonjën Klinton mbi ligjin e Dosjeve në Shqipëri. Sekretarja e Shtetit, sipas burimit, tha se i vlerësonte sigurimet e dhëna nga zoti Berisha për këtë çështje. Lidhur me këtë çështje, në përfundim të takimit, zv/ndihmësi i Sekretares së Shtetit, Stuart Jones, konfirmoi interesimin e Klinton për ligjin, i cili është kundërshtuar shumë nga faktori ndërkombëtar. Por ai shtoi se Sekretarja e Shtetit nuk i sugjeroi ndonjë gjë në veçanti kryeministrit Berisha lidhur me këtë ligj. “Çështja e ligjit të Lustrimit u ngrit në takim, Sekretarja Klinton pyeti për të dhe Berisha e siguroi atë, se nuk do të ketë një gjueti shtrigash, por do të ndiqen të gjitha proceset kushtetuese dhe qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë proces. Ne nuk i bëmë ndonjë sugjerim kryeministrit lidhur me këtë ligj, por ai vetë na dha sigurimet, të cilat ne i mirëpresim”, tha Xhons në përfundim të takimit. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha theksoi: “I sigurova Sekretares së Shtetit dy gjëra, së pari, nuk mund të përdoret dhe nuk do të përdoret për gjueti shtrigash kundër kundërshtarëve politikë. Së dyti, çdo gjë do të zhvillohet sipas rregullave të shtetit ligjor. Këto ishin sigurimet e mia që i dhashë Sekretares në një mirëkuptim të plotë dhe se asnjë lloj zgjidhje përveç zgjidhjeve ligjore nuk mund të imagjinohet në këtë rast”.