E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani kërkon të luajë, por mjekët janë kundër

 

Erjon Bogdani është kthyer në një çështje në Kombëtare para ndeshjes me Maltën, që do të luhet më datën 11 shkurt në Maltë. Sulmuesi pësoi një dëmtim në kokë gjatë stërvitjes së kësaj jave, teksa stafit mjekësor iu desh t’i bënte tetë të qepura mbi vetullën e majtë, pasi e kishte çarë. Për këtë arsye ai nuk do të jetë i gatshëm për ekipin e Kievos në fundjavë, për atë që quhet ndeshja e mbijetesës së Serisë A, Torino-Kievo. Lajmi është bërë i ditur nga mediat italiane, teksa trajneri i ekipit veronez, Di Karlo ka pranuar se shqiptari nuk është grumbulluar për shkak të dëmtimit. Një ditë më parë Bogdani kishte komunikuar me drejtuesit e FSHF-së, të cilët u kishte bërë të ditur se dëmtimit nuk është serioz dhe se do të ishte i gatshëm për ndeshjen kundër Maltës. Mirëpo, duket se mjekët janë skeptikë për atë që ka deklaruar sulmuesin shqiptar në lidhje me mundësinë e aktivizimit, edhe pse ka tetë të qepura në vetull. I kontaktuar nga “Panorama”, doktori i Partizanit, Perli Rusi është shprehur se mund të jetë e rrezikshme për Bogdanin që të luajë të mërkurën. “Nëse ka tetë të qepura në vetull, mund të jetë e rrezikshme për të që të luajë të mërkurën, - thotë Rusi. – Normalisht, unë nuk mund të jem 100 % i sigurt pa e parë vetë lojtarin, pasi varet sa e thellë është e çara dhe në çfarë vendi ekzaktësisht. Por di të them se vetulla është shumë delikate dhe një kontakt çfarëdo gjatë lojës mund t’i shkaktojë një hemorragji, që vështirë se mund t’i ndalohet më pas. Duhet minimalisht 10 që një plagë e tillë të mbyllet. Pastaj nuk e di nëse është bërë me qepje apo me kapëse. Ka pasur edhe raste kur kanë luajtur pa asnjë problem me çarje në vetull, por me tetë të qepura unë e shoh të rrezikshme për lojtarin, janë shumë. Një prekje e topit me kokë do t’i shkaktonte hemorragji. Fakti që ai është lënë jashtë ndeshjes së fundjavës nga klubi do të thotë shumë”, - është shprehur Perli Rusi. Gjithsesi, pritet të mësohet se si do të jetë gjendja e sulmuesit, që pritet të mbajë peshën kryesore të Kombëtares ndaj Maltës të mërkurën e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›