E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilion Lika bën tifo për kuqezinjtë

 

Ilion Lika, portieri i kombëtares sonë dhe skuadrës ruse Terek i Groznit, ka gati një javë që është larg fushave të stërvitjes. Në një seancë, në periudhën përgatitore të skuadrës së tij në Antalia të Turqisë, Lika ka këputur tendinin e këmbës dhe për rrjedhojë është operuar në Belgjikë. Tashmë për momentin gjendet në periudhë pushimi pranë familjarëve të tij në Gjermani, teksa pret të vijë në Tiranë për një qëndrim disi të gjatë. Do të rikthehet sërish në Belgjikë, ku do të bëjë vizitën e radhës, e mandej do të nisi riaftësimin e tij. E gjithë kjo periudhë do ta mbajë Likën për 3-4 muaj larg futbollit. Një humbje e madhe për të, por dhe për skuadrën çeçene të Terekut, aty ku portieri ynë ka fituar zemrat e të gjithë tifozëve dhe të presidentit të klubit Kadirov. “Mendoj vetëm për t’u rikthyer sa më shpejt në fushë – thotë Lika – më vjen keq, sepse ndjej që e kam lënë Terekun në vështirësi. Nuk më vjen aspak mirë, por shpresoj që kjo skuadër, deri në kthimin tim, të mos ketë probleme”. Por bashkë me dëmtimin, Lika ka humbur dhe ndeshjet e kombëtares, aq më tepërt që u vu në diskutim dhe ardhja e Arjan Beqajt. Veç takimit me Maltën, ka humbur dhe sfidat e tjera të radhës që kuqezinjtë do të kenë në mars dhe në qershor. “E para të gjithë tifozët duhet ta mbështesin skuadrën dhe të besojnë te kualifikimi për në Botërorin 2010-ës, ashtu siç besoj dhe unë. E dyta, mungojnë Lala e Cana, por Malta nuk duhet bërë “gogol”, sepse kalohet. I jepet dhe futbollistëve të tjerë që të tregojnë veten. Dhe e treta, asnjëherë nuk i kam thënë ‘JO’ dhe nuk do t’i them kombëtares. Kur të kthehem pas dëmtimit, pres të jem mes shtyllave të Terekut dhe kombëtares shqiptare”, ka përfunduar Ilion Lika në linjë telefonike nga Gjermania.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›