E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e dhunuara, policia: Tre urdhra mbrojtje

 

TIRANE -  Policia e kryeqytetit ka marrë dje në mbrojtje një nënë 52-vjeçare, që dhunohej nga i biri 22 vjeç. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës pohojnë se gjatë ditës së djeshme efektivët e Komisariatit nr.3, në zbatim të ligjit për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, kanë plotësuar kërkesë padinë për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes për 51-vjeçaren, F.K., lindur në Dibër dhe banuese në kryeqytet, pasi djali i saj, i quajtur Ibrahim K., 22-vjeç, ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike. Pas kësaj, specialistët e policimit në komunitet ia kaluan materialet Gjykatës së Tiranës. Po kështu, urdhri i mbrojtjes është lëshuar edhe për 36- vjeçaren K.Xh., nga qyteza e Golemit, Kavajë, e cila ka denoncuar bashkëshortin Haki Xh., 43-vjeç, për ushtrimin ndaj saj në mënyrë sistematike të dhunës fizike dhe psikologjike. Edhe për këtë rast policia pohon se ka dërguar dokumentet në gjykatë, për t’u ndjekur procedurat ligjore. Ndërkohë gjatë ditës së sotme pritet që gjykata e kryeqytetit të shqyrtojë padinë e një qytetareje, e cila ka paditur një familje për dhunë ndaj saj. Në bazë të ligjeve në fuqi, gjykata mund të vendosë maksimalisht izolimin e agresorëve nga viktimat, të cilët duhet të qëndrojnë në një distancë të largët dhe në banesa të ndryshme nga njëri-tjetri. Zakonisht urdhrat vendosen për një afat 30 ditor, datë pas të cilës gjykata i verifikon kushtet dhe vendos zgjatjen apo shuarjen e masave. Po kështu bëhet e ditur se në rast thyerje të urdhrave, agresorët përballen me penalitete.                            f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›