E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Bodes: “Elimino tendencat e taksimit të biznesit të vogël”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Shefi i mazhorancës, Berisha, ka mbledhur urgjent dje në një tryezë në zyrën e tij gjithë ekspertët financiarë të kabinetit të tij, përfshi dhe ministrin Ridvan Bode, për të marrë masa urgjente mbi ngritjen e taksave vendore nga krerët e bashkive dhe komunave në vend. Berisha ka urdhëruar ministrin e Financave që të marrë masa të menjëhershme për mosngritjen e taksave dhe lënien e tyre në nivelin 10%, të përcaktuar nga ligji “për taksat e biznesit të vogël”. Kryeministri zhvilloi një konsultë të gjerë me ministrin e Financave, Ridvan Bode, dhe me zyrtarë të lartë të këtij sektori, lidhur me zbatimin e direktivës së tij për kufizimin e abuzimeve që qeveritarët vendorë po bëjnë në kurriz të biznesit të vogël me tarifat dhe taksat e përkohshme, me të cilat po rrisin barrën mbi këtë biznes që përballon gjeneratën kryesore të punësimit në vend. Në këtë konsultë, Kryeministri dha orientim të prerë se të gjitha tarifat dhe taksat e përkohshme, të marra së bashku, nuk do të mund të jenë më shumë se 10 për qind e nivelit të përcaktuar me ligj “për taksimin e biznesit të vogël”. “Tendenca e taksimit të biznesit të vogël, në një kohë kur qeveria ka pakësuar me 50 për qind barrën fiskale për këtë biznes dhe në një kohë kur, për shkak të krizës ekonomike botërore, vendet po ulin taksat, është e rrezikshme për punësimin dhe mbarëvajtjen e biznesit në vend”, - nënvizoi kreu i ekzekutivit, Berisha, në takimin që pati me ministrin e Financave, Ridvan Bode.

Reagimi, Bashkia e Tiranës

Kemi ulur me 30 për qind taksën e biznesit të vogël

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Rama, u është përgjigjur sot pretendimeve të Berishës mbi rritjen e taksave vendore. Rama tha se është qeveria që ka rritur taksat dhe konkretisht Tatimin mbi Fitimin, sipas tij, Bashkia e ka ulur në mënyrë të vazhdueshme. 16 mijë biznese të vogla në Tiranë do të paguajnë më shumë taksa dhe tatime, për herë të parë zbatohet Tatimi mbi Fitimin në masën 10 për qind për subjektet e vogla private. Të ardhurat që do të mblidhen nga kjo taksë nuk do të shkojnë në arkën e Bashkisë, por në buxhetin e shtetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka qenë në një furrë prodhimi buke, ku së bashku me prodhuesin ka llogaritur masën e fitimit të këtij biznesi mbi bazën e të cilit do të përllogaritet tatimi që ai do të derdhë në shtet. Rama tha se kjo dëshmon faktin se është qeveria që rrit taksat dhe jo Bashkia e Tiranës për të cilën ai është akuzuar edhe nga kryeministri Berisha. “Ju siguroj ju se mbas 28 qershorit ky trajtim për biznesin do të marrë fund dhe ne do të ndërtojmë një aleancë me biznesin, pasi ai në kohë krize duhet mbështetur në mënyrë që të luftojmë papunësinë dhe të luftojmë varfërinë”,- u shpreh kreu i Bashkisë, Rama. Brenda datës 31 mars të gjitha bizneset e vogla duhet të derdhin në llogarinë e buxhetit 10 për qind të fitimit të realizuar deri në fund të vitit 2008. Sipas përllogaritjeve të Bashkisë Tiranë, 10 për qind e tatim - fitimit për biznesin e vogël është më shumë se 50 për qind e uljes së taksës së biznesit të vogël mbi xhiron që u krye në vitin 2005. Bashkia pretendon se gjatë tre viteve të fundit, Bashkia e Tiranës ka ulur me 30 për qind taksën e biznesit të vogël dhe atë të pasurisë nga niveli i përcaktuar me ligj për të gjitha bizneset e prodhimit në qytetin e Tiranës me qëllim lehtësimin e kushteve të krizës energjetike që kalonte vendi.
Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›