E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet për kreun e demokratëve në Tiranë nuk do të shtyhen

Autori i Lajmit: red.
Brenda gjysmës së dytë të muajit prill pritet të zgjidhet edhe enigma për kreun e Partisë Demokratike të Tiranës. Gjashtë muaj pasi ka nisur fushata elektorale për këtë post, procesi po shkon drejt fundit duke rrëzuar të gjitha dyshimet se zgjedhjet do të shtyhen pas 28 Qershorit. Partia Demokratike po përshpejton hapat për përmbylljen e procesit zgjedhor në strukturat e saj dhe brenda muajit prill do të zgjidhet edhe kryetari i kësaj force politike për Tiranën. Sekretari i porsazgjedhur për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Ferdinand Xhaferri, konfirmon faktin në fjalë, ndërsa e vlerëson procesin e përzgjedhjes së kandidaturave si transparent. "Procesi pothuajse ka mbaruar në mbi 90 për qind të degëve dhe unë mendoj që deri nga mezi i muajit prill mund të përfundojë në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Procesi ka përfunduar në shumë degë të rëndësishme si dega e Partisë Demokratike në Dibër, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Berat. Tirana, sipas traditës në Partinë Demokratike, që gjithmonë lihet për në fund konferenca e Tiranës", - bëri të ditur Ferdinand Xhaferri, sekretar për Marrëdhëniet me Publikun.
Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›