E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji i ri për auditimin dhe kontabilistët krijon situatë monopol

Flasin ekspertët për rreziqet që mbart miratimi i ligjit
Projektligji për auditimin ligjor dhe ekspertët kontabël, që pritet të ngjallë debate të ashpra së shpejti në komisionin e ekonomisë në Kryesinë e Parlamentit shihet si mjaft i dyshimtë dhe problematik edhe nga ekspertët dhe specialistët e kontabilitetit dhe auditimit. Profesor Dr. Agim Binaj pohon për gazetën "SOT", se me këtë projektligj, që shtrohet për diskutim dhe mendim, krijohet një situatë monopol faktik dhe ligjor në fushën e ofrimit të shërbimeve profesionale dhe kualifikimit të vazhdueshëm për audituesit, si dhe mund të sjellë pasoja shumë të rënda në një realitet ku korrupsioni është një fenomen lufta ndaj të cilit është një nga prioritet e qeverisë. "Së pari nuk jam dakord me mënyrën si është konceptuar ligji. Mendoj që gabimet e bëra deri tani në profesionin e kontabilitetit, ka ardhur koha të rregullohen nëpërmjet këtij ligji. Është tani koha për ta bërë këtë aq më tepër në këtë situatë krize financiare në mbarë botën ku dhe transparenca e bilanceve dhe pasqyrave financiare është vënë në pikëpyetje, si një nga arsyet e shkaktimit të kësaj krize, përveç menaxhimit të keq financiar. Çfarë kam parasysh me këtë? Projektligji në thelb duhet të ketë organizimin e profesionit të kontabilitetit dhe jo ligjësimin e një grupi të caktuar njerëzish në krijimin e monopolit të padrejtë të tregut të profesionit. Historia e ligjësimit të monopolit të këtij profesioni, kam parasysh këtu profesionin e ekspertëve kontabël, ka filluar herët, që me ligjin e vjetër të shoqërive tregtare, për të ligjëruar monopolin e këtij profesioni në treg. Ky ishte hap i parë i korruptimit të këtij profesioni nëpërmjet këtij ligji", shprehet Binaj, sipas të cilit ligji i ri i shoqërive tregtare që hyri në fuqi në maj të vitit të kaluar, e nxori jashtë ligjit këtë profesion. "Hapi i bërë për korruptimin e këtij profesioni ishte periudha e tranzicionit, kur askush nuk kishte eksperiencën e duhur se çfarë duhet të bënte ky profesion, sa i rëndësishëm ishte, sa do i shërbente zhvillimit ekonomik të vendit, transparencës etj. Me një ligj të manipuluar, disa njerëz ekspertë kanë hipur në kalë dhe bëjnë c'është e mundur të rrinë aty edhe kur koha u bën thirrje të zbresin, se boll përfituan nëpërmjet manipulimit të bilancit pa punë e djersë", cilëson Binaj, duke bërë të ditur edhe hapat që duhet të ishin ndjekur për hartimin e një projektligji të tillë. "Ky projektligj nuk sjell përvojën e vendeve me përvoja në këtë fushë, por tenton përsëri të ligjësojë mashtrimin në certifikimin e pasqyrave financiare dhe bilanceve. Na duhet një profesion i organizuar me një mbikëqyrje të rreptë nga një kupolë e të gjitha shërbimeve të kontabilitetit dhe auditimit. Para se të hartojmë projektligjin, unë mendoj se duhet të analizojmë treguesin kosto-përfitim të profesionit të kontabilitetit dhe sidomos të ekspertit kontabël të autorizuar në këto vite. Dhe vetëm pas kësaj analize të hartojmë ligjin", vlerëson Binaj, duke bërë më tej një ekspoze të shkurtër lidhur me atë se çfarë ka përfituar në të vërtetë ekonomia shqiptare nga ekspertët kontabël. "Ky profesion ka certifikuar një përqindje të lartë informaliteti të ekonomisë shqiptare ose të biznesit, të paktën 40-50% informalitet. Merrni raportin e Bankës Botërore apo ato të Kontrollit të Shtetit dhe i lexoni me kujdes, rresht për rresht; analizoni bilancet e certifikuar nga disa ekspert e të dorëzuar në tatim-taksa dhe nxirrni konkluzione nga raportet e auditimit. Analizoni bilancet e dorëzuar në banka për kredi dhe të certifikuar nga ekspertë e do të zbuloni falsitetin e shifrave, mashtrimin e madh që i bëhet qytetarëve që depozitojnë para në banka dhe që përdoren për kredi të pamerituara nga njësi ekonomike që manipulojnë treguesit ekonomike e financiarë etj. Atëherë, do të vazhdojmë edhe më tej të ligjërojmë mashtrimin me këtë ligj", vijon Binaj. Sipas tij ky projektligj fsheh në vetvete interesa të personave të caktuar dhe ky projektligj është në kundërshtim me direktivën 8 të BE-së. "Besueshmëria nuk realizohet, aq më pak në këtë kohë krize, kur transparenca e bilanceve është venë në radhë të parë, me shifra të rreme të certifikuara nga disa ekspertë në mënyrë formale pa bërë as kontroll për saktësinë e shifrave që certifikojnë. Le të ngrihet një grup ekspertësh dhe të verifikoje bilancet e dorëzuara në banka për kredi, dhe ti krahasojë me ato të dorëzuara në tatim-taksa, dhe do të zbulohen skandalet. Duke përfunduar them se ky projektligj duhet të rregullojë profesionin e kontabilitetit sipas rregullave të lojës dhe kërkesave të standardeve të BE-së, duke përcaktuar përgjegjësinë për çdo hartues apo certifikues bilanci. Ne duhet ti themi ndal këtij mashtrimi dhe nuk duhet kurrsesi të vazhdojmë të ligjësojmë certifikimin e bilanceve me shifra të manipuluara se ato nuk i duhen askujt. Projektligjin nuk duhet ta bëjmë në interes të atyre që janë të interesuar që në Shqipëri të vazhdojë mashtrimi me shifrat", përfundon Binaj në oponencën e tij për projektligjin për auditivin ligjor dhe ekspertët kontabël.

Email This Klikime: 11

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›