E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Brenda 2-3 javëve nga Elbasani në Tiranë vetëm 20 minuta

GRAMSH – Kryeministri Berisha u ndal sot në rrethin e Gramshit , ku përuroi rikonstruksionin e rrugës Drizë-Porocan. Ndërsa përmendi avantazhet që do të kenë banorët e kësaj zonë me ndërtimin e kësaj rruge, kryeministri paralajmëroi edhe hapjen e autostradës Tiranë-Elbasan, brenda 2 ose 3 javëve të ardhshme.

“Kjo rrugë u shërben 11 mijë banorëve. Do të bëjë të mundur që banorët e këtyre fshatrave të nxjerrin prodhimet prodhimet e tyre shumë me lehtësi në tregun e Gramshit, Elbasanit dhe shumë shpejt edhe në tregun e Tiranës, 20 minuta nga Elbasani. Rruga është një investim prej 331 milionë lekë dhe bën të mundur realisht zhvillimin e të gjitha potencialeve të kësaj zone. Në rrethin e Gramshit kemi investuar dhe do investojmë derisa të asfaltohet edhe kilometri i fundit i rrugëve të këtij rrethi”- u shpreh kryeministri Berisha. 

Kryeministri Berisha premtoi hapjen e vendeve të reja të punës në katër vitet e ardhshme, shtimin e granteve për fermerët, ndërsa ripërsëriti angazhimin për të vazhduar me ndërtimin e rrugëve në çdo skaj të vendit.

“Ata të cilët përpiqen t’iu mashtrojnë dhe tu thonë se Berisha nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndërtuar rrugë. Unë dua tu them se projekti i rrugëve është më madhori, sepse kam gjykuar dhe gjykoj që qytetarët duhet të jenë kudo të barabartë. Projekti ynë nuk është vetëm rrugë, por edhe shkolla. Kemi ndërtuar ujësjellësa, do bëjmë gjithçka për të furnizuar 24 orë me ujë familjet tuaja. Do bëjmë gjithçka për vendosjen e sistemeve të kanalizimeve. Vitet e fundit kemi financuar me grante 42 mije fermerë. Katër vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për ju”- deklaroi kryeministri. 

Sipas kreut të qeverisë, “historia e integrimit fakton se, nëse ne fimosëm në vitin 2006 MSA-në, z. Rama futi fitilat, trumbetat dhe tani po e mbyll me dajre, po ikën me dajre. Kur ne e anëtarësuam Shqipërinë në NATO, Rama krijoi protestën dhe dje u thoshte qytetarëve në Paskuqan, e çfarë se u anëtarësuat në NATO, ju mbetët në natë". 

Por ne, shtoi kryeministri, “falë NATO-s jemi sot të sigurtë, sa kurrë në historinë tonë kombëtare. Jemi sot më të respektuar se kurrë në ekzistencën tonë si komb. Jemi më të sigurt se kurrë në zhvillimin tonë. Nga 2009 deri sot, se u antërësuam në NATO, kompanitë nga e gjithë bota shumëfishuam investimin në Shqipëri. Ne në 4 vite morëm 4.2 miliardë dollarë investime të huaja, me të cilat janë krijuar dhjetëra mijëra vende pune. Merituam vizat për lëvizjen e lirë. Do hapim negociatat për vend anëtar në BE”. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›