Berisha: Brenda dy viteve përfundon Rruga e Arbrit
Brenda dy viteve do të përfundojë ndërtimi i Rrugës së Arbrit. Ky ka qenë premtimi i Kryeministrit Sali Berisha, i cili dje, rreth orës 11.15, ka mbërritur në qytetin minator të Bulqizës, ku ka prerë shiritin e përurimit të fillimit të punimeve në Rrugën e Arbrit, segmenti "Dalje Bulqizë", "Dalje Ura e Vashës", me gjatësi rreth 7 kilometër. Në pritje të Kryeministrit merrnin pjesë autoritetet lokale, kryetari i bashkisë, zoti Roland Keta, ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, si dhe deputetët fitues të PD-së për Qarkun e Dibrës në zgjedhjet e 28 qershorit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha përshëndeti banorët e Bulqizës për kontributin e dhënë prej tyre, në fitoren e PD-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Sot, tha ai ndajmë me ju një tjetër gëzim, atë të fillimit të punimeve për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, për rëndësinë e së cilës flet vetë emri i saj. "Projekti ynë është projekti i Shqipërisë europiane. Vetëm në një muaj (korrik), ajo që ish-kryetari i PS-së e cilësoi si rruga e asgjëkundit (Durrës-Kukës) e dyfishoi fluksin e lëvizjes, ndaj ju garantoj ju se edhe Rruga e Arbrit, si rruga më e re në Ballkan, do të ndërtohet brenda dy viteve", premtoi Berisha. Ai argumentoi se Rruga e Arbrit, është rruga e bashkimit të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, ajo afron Dibrën, Bulqizën dhe Klosin me Tiranën, duke shkurtuar dy herë afatin e udhëtimit. Ndërkohë vijoi ai, rruga afron edhe Shkupin me Tiranën, duke shkurtuar distancën mes tyre me rreth 100 kilometra. "Qeveria është e vendosur që në katër vitet e ardhshme të punojë për ndryshimin e madh të Shqipërisë. Vetëm një Shqipëri me infrastrukturë rrugore moderne, mund të sigurojë zhvillimin e biznesit, për të çuar në prosperitetin e vendit", nënvizoi ai. Kryeministri Berisha garantoi të pranishmit në këtë takim, se objektivat e përcaktuara nga mazhoranca qeverisëse e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit do të realizohen plotësisht me zero tolerancë. Armiku më i madh i yni, vijoi Kryeministri Berisha, është varfëria, ndaj ne jemi të vendosur ta luftojmë atë me të gjitha forcat dhe mjetet. Sipas tij qeveria është e vendosur për të shtrirë kudo infrastrukturën rrugore, po vazhdon unaza lindore e juglindore, Kukës-Peshkopi-Gollobordë-Steblevë. Garantoj vijoi ai, se qeveria do të bëjë çdo gjë për të ndryshuar jetën e shqiptarëve, kudo që ata janë. "Do sigurojmë vaditjen e tokës, drufrutorë dhe çdo gjë, që të mos braktiset asnjë pëllëmbë tokë", u shpreh ai. Kushti ynë, tha më tej Kryeministri Berisha, është që të luftojmë me zero tolerancë mjerimin, i cili nuk duhet të ekzistojë në vendin tonë, ndërkohë që do luftohet edhe për uljen në maksimum të varfërisë. Kryeministri garantoi se edhe minierën e kromit e pret tjetër e ardhme, kur koniunktura e çmimit të kromit po shënon rritje. Me këtë rast ai garantoi minatorët se qeveria do qëndrojë përkrah tyre.