E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni me PD-në përçan LSI-në

Institucionalizohen zërat kundër marrëveshjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike. Pesë anëtarë të Kryesisë së LSI-së, të udhëhequr nga zv.kryetari Pëllumb Xhufi, i bënë thirrje dje kreut të kësaj partie që të tërhiqet nga marrëveshja me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçi deklarojnë se me qëndrimin e tyre nuk mund t‘i imponohen askujt, por nëse mesazhi i tyre nuk lexohet siç duhet, atëherë nuk do të vijojnë të jenë pjesë e kësaj partie. "Ne të gjithë së bashku shpresojmë që apeli ynë të lexohet me qetësi dhe me konstruktivitet. Ne nuk mund t‘i imponohemi askujt, ashtu sikur nuk kemi ndërmend të ndjekim askënd në misionin vetëshkatërrues", deklaroi numri dy i LSI-së, Pëllumb Xhufi, i cili edhe më parë ka shprehur rezerva të mëdha ndaj kësaj marrëveshjeje. Pesë nga drejtuesit e LSI-së zgjodhën të komunikojnë me mediat jashtë ambienteve të kësaj partie, duke dalë në një mendim të përbashkët, se një vendimmarrje e tillë do ta shndërronte LSI-në në një parti numrash për të arritur votat në Parlament. "Ne vërtet besojmë se janë të gjitha arsyet për të riparuar sa më parë vendimmarrjen e pashkak e të nxituar, si dhe aspak të natyrshme, për ta nxjerrë Lëvizjen tonë Socialiste nga misioni dhe programi i saj politik, nga spektri i majtë i politikës shqiptare dhe për ta shndërruar thjesht në parti numrash, dhe pjesë e llogarive qeveritare për të arritur numrin magjik 71", deklaroi Pëllumb Xhufi. Sakaq, pesë bashkëpunëtorët e Metës, njëherësh edhe themelues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i kujtuan kreut të kësaj partie se Berisha jo vetëm që nuk i ka fituar zgjedhjet, por është përgjegjës për deformimet e proceseve demokratike, për ngjarjen e Gërdecit, por edhe për puçin institucional të 21 prillit. "Ne, sikurse shumë anëtarë të LSI-së, nuk mund të pranojmë që përpjekjet tona të përbashkëta disavjeçare dhe votat e shqiptarëve të cilët besuan te ne dhe LSI të zhbëhen tërësisht, pa asnjë shkak të qenësishëm për t‘u vënë në shërbim të pushtetit arbitrar personal të Kryeministrit të pavotuar të Gërdecit, përgjegjësit të vetëm të deformimit të procesit demokratik të vendit dhe bashkautorit të puçit kushtetues të 21 prillit", vijoi Xhufi. Sipas tij, Ilir Meta, me vendimin për bashkëpunimin me Berishën, po hedh poshtë parimet mbi të cilat 5 vite më parë bashkëthemeluan LSI-në. "Apelojmë publikisht për të ndaluar aktin final të bashkëpunimit me Berishën, sikurse është detyrimi ynë parimor kundrejt të gjithë miqve, kolegëve e bashkëpunëtorëve tanë, por edhe opinionit publik, për të sqaruar pa asnjë ekuivok se nuk ka qenë kjo ëndrra jonë, të cilën para 5 vitesh e pagëzuam me emrin Lëvizja Socialiste", theksoi zv/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Duket se kjo është përpjekja e fundit e zërave kundër në LSI për të ndaluar marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes kreut të kësaj partie dhe Berishës.

Trajektorja e LSI-së,

nga deklarata e

Priftit te përçarja

Përplasjet e ashpra në Konventën e LSI-së

Në mesditën e 30 qershorit, ndërsa i gjithë vendi ishte përfshirë nga procesi i numërimit të votave dhe askush nuk mund të thërriste "fitore!", deklarata e Dritan Priftit, nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ktheu peshoren në favor të së djathtës. Prifti deklaroi hapur se votat që i takonin partisë së tij nuk ishin numëruar si të tilla nga komisionerët socialistë, në bashkëpunim me ata demokratë, ndaj nëse nesër Kryeministrit Berisha do t‘i duhej vota e tij për të krijuar qeverinë, ai do ishte "pro". Prifti tha se vota e tij nuk mund të ishte kurrë në favor të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Deklarata solli buzëqeshjen në kampin blu, dhe reagime të forta nga kampi kundërshtar. Sakaq, kreut i LSI-së, Ilir Meta, dy ditë më vonë tha se bëhej fjalë për një deklaratë emocionale të zotit Prifti, i cili ka parë me sytë e tij se si i janë grabitur votat LSI-së. Kur numërimi ndali, shigjeta tregoi 66 mandate në favor të së majtës dhe 70 mandate në favor të së djathtës. U kuptua lehtë që e drejta e krijimit të qeverisë i takonte PD-së, por nuk mjaftonin votat. Menjëherë nisën kontaktet e para mes dy krerëve të LSI-së dhe PD-së, teksa para mesditës së 4 korrikut Kryeministri Berisha i bëri ftesë të hapur për bashkëpunim LSI-së. Dy orë më vonë, Ilir Meta pranoi ftesën, duke i garantuar 74 vota qeverisë "Berisha". Vendimi surprizë shkaktoi reagime të menjëhershme dhe mjaft të ashpra. Disa orë më vonë, kreu i PS-së, akuzoi Metën dhe deklaroi se kjo është koha e maskarenjve. Sakaq, brenda LSI-së filluan zërat e parë kundër. Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi dhe Sabit Brokaj vlerësuan se bashkëpunimi ishte mjaft i nxituar dhe larg synimeve e pozicionit të përhershëm të LSI-së. Konventa Kombëtare që u zhvillua disa ditë më vonë i përvijoi më shumë këto ndasi. Meta shpjegoi para anëtarëve të kësaj konvente arsyet përse pranoi ftesën e Berishës dhe në pamje të parë duket se arsyetimi i kryetarit u pranua. Sakaq, ai u kërkoi zërave kundër që të jepnin një ide se si duhej vepruar. I pari që foli ishte Fatos Klosi, i cili kundërshtoi bashkëpunimin, por salla nuk i mirëpriti këto deklarata, duke e shoqëruar me vërshëllima. Sakaq, Pëllumb Xhufi deklaroi se ishte kërcënuar, ndërsa në kohën që ai fliste, transmetimi direkt u ndërpre. Për një kohë të gjatë pati shkëmbime replikash në media mes figurave kryesore të LSI-së, atyre që ishin "pro" bashkëpunimit dhe atyre që ishin "kundër". Një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Metës, Ndre Legisi, u largua në heshtje, duke mos i frekuentuar më ambientet e LSI-së. Zërat u shuan me nisjen e pushimeve të verës, për të rifilluar tanimë që situata është nxehur sërish dhe kur duket se nën zë të dyja palët, PD dhe LSI, po i bëjnë presion njëra-tjetrës. E para për të marrë aq dikastere sa dëshiron dhe e dyta për të mos kënaqur aq sa duhet oreksin e LSI-së.

Meta

Takimi? Meta tha se po

pret sinjalin e Berishës

Dy ditë më parë, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se është në pritje të caktimit të një date nga ana e kreut të PD-së, Berisha, për të zhvilluar negociatat zyrtare. Kreu i LSI-së theksoi se prioriteti do të jetë programi dhe jo postet ministrore. Sakaq, të dyja partitë janë në pritje të zhvillimit të kongresit në kampin rozë, për të parë se çfarë do të ndodhë, duke shtyrë në këtë mënyrë takimin për ditët e para të muajit shtator. Kështu, duket se justifikohet edhe deklarata e Kryeministrit Berisha për të respektuar afatet maksimale të krijimit të qeverisë së re. Sipas asaj çka është deklaruar në rrugë jozyrtare, një takim Berisha-Meta pritet të bëhet në datën 2 shtator. Afati final për mbylljen e negociatave dhe mbledhjen e Parlamentit është data 5 shtator. Para këtij momenti do të duhet të firmoset marrëveshja e bashkëpunimit mes Berishës dhe aleatëve.

Pushteti

Negociatat, emrat e

ministrive të përfolura

Asgjë zyrtare dhe gjithçka e përfolur. E tillë është situata në raport me produktin e negociatave informale mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Ndonëse nuk ka pasur një bashkëbisedim dhe tryezë zyrtare, midis Metës dhe Berishës janë zhvilluar takime të shumta në ditët e verës. Herë në shtëpitë e pushimit në Pogradec, më pas në plazhin e Dhërmiut ata kanë diskutuar rreth formulës së ndarjes së "tortës" së pushtetit. Deri më tani çdo gjë është enigmatike, por është përfolur si e sigurt marrja e Ministrisë së Energjetikës dhe Ekonomisë. Gjithashtu, si e shumë kuotuar është paraqitur Ministria e Shëndetësisë. Enigma mbetet te pozicioni i kreut të LSI-së, Ilir Meta. Ai duhet të zgjedhë mes tre alternativave: e para ajo e zv.kryeministrit dhe një posti ministror, e dyta ajo e Kryetarit të Kuvendit dhe e treta, për të mos u përfshirë fare në qeverisje direkt.

LSI: Zgjodhën të vetëpërjashtohen,

i shërbyen PS-së dhe Edi Ramës

Pesë anëtarët e forumeve të larta të LSI janë vetëpërjashtuar. Ky ishte reagimi i zëvendëskryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dje pasdite, pak orë pasi Pëllumb Xhufi dhe katër përfaqësues të kësaj partie i kërkuan Ilir Metës që të tërhiqet nga marrëveshje me Sali Berishën. Nën gjykimin se i kanë shërbyer Partisë Socialiste dhe interesave të tyre personale, Dritan Prifti tha se në këtë rast nuk kryhet asnjë veprim, pasi pesë anëtarët kanë zgjedhur të vetëpërjashtohen. "Kanë ikur te Partia Socialiste dhe po bëjnë një lojë në interes të Edi Ramës tani që është në prag të kongresit. Pra janë vetëpërjashtuar", deklaroi për "Shqip" një prej drejtuesve më të rëndësishëm të kësaj partie, Dritan Prifti. Ndërsa pesë anëtarët e kryesisë vërejtën se nëse mesazhi i tyre nuk do lexohet siç duhet, ata do të largohen nga kjo parti. Sakaq, kërkesës së tyre për një kthim të vendimit të Konventës që anulon bashkëpunim me PD-në, Dritan Prifti, por edhe kreu i KDK-së, Edmond Haxhinasto, i përgjigjen kategorikisht se kjo nuk mund të ndodhë. Madje sipas Haxhinastos askush nuk mund ta vërë në dyshim këtë, pasi vendimi është miratuar me shumicë votash dhe e ka mandatuar kryetarin e LSI-së që të zhvillojë negociatat me PD. Në statutin e LSI-së, Konventa Kombëtare është organi më i lartë vendimmarrës e madje në të thuhet se vendimet e saj nuk mund të ankimohen as në këshillin ankimues. Sakaq, pak minuta pas deklaratës së Xhufit dhe katër bashkëpunëtorëve, drejtori për marrëdhëniet me publikun në LSI, njëherësh edhe anëtar i Kryesisë, Dritan Ylli, deklaroi se pas kësaj lëvizjeje fshihet PS dhe kryetari i saj, Edi Rama. "Nguti i kësaj konference shtypi në këtë të shtunë vere është i qartë për ne, ashtu si edhe përmbajtja verore e saj. Qëndrimi i fundit që mbajnë deklaruesit ose thënë më thjesht përfituesit më të mëdhenj të mundit dhe sakrificave të LSI-së dhe mijëra anëtarëve të saj, është vetëm krijimi i një fokusi artificial për të shmangur vëmendjen nga kongresi i PS dhe nga kriza shumë e rëndë që vjen nga humbja e Ramës pas betejës mafioze, manipuluese dhe korruptive të tij ndaj LSI", tha Ylli. Ai shpjegoi edhe një herë se, forumet më të larta të LSI si Kryesia dhe Konventa Kombëtare kanë marrë vendime unanime, transparente në mbështetje të plotë të qëndrimit të saj për aleancën qeverisëse të integrimit, ndërsa deklaruesit e sotëm nuk kanë marrë pjesë në këto forume. "Për më tepër, vijoi Ylli, që kemi dëgjuar nga vetë z. Xhufi propozimin e tij në Konventën Kombëtare për mbështetjen e koalicionit me PD, por me kusht që LSI të jepte votat e saj dhe të mos merrte pjesë në qeverisje". Ylli vërejti se programi i LSI ka prioritet madhor atdheun dhe do të veprojë gjithmonë vetëm në funksion të interesave të mëdha të vendit dhe stabilitetit të tij politik dhe ekonomik dhe kurrë në funksion të atyre interesave të ngushta, personale dhe meskine, që kanë penguar zhvillimin dhe integrimin e tij.

LSI

Klosi i hedh poshtë

aludimet për konferencën

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Fatos Klosi, tha dje se pretendimet e linjës zyrtare të partisë janë idiotizma. Ai hodhi poshtë çdo lloj aludimi se konferenca e tyre për shtyp ka lidhje me Kongresin e Partisë Socialiste dhe ashtu sikurse pretendohet, largimin e vëmendjen publike prej tij. "Ishte një thirrje që ne i bëmë strukturave që të reflektojnë lidhur me vendimin për të bërë koalicion qeverisës me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike", deklaroi Klosi. Sipas tij, tanimë është e qartë se ai, së bashku me kolegët e tij, nuk do të bëhen pjesë e vetëshkatërrimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ne, vijoi Klosi, vetëm bëmë thirrje për një reflektim por nuk shamë dhe as sulmuam askënd me deklaratat tona. Fatos Klosi ishte një prej zërave që u deklaruan kundër bashkëpunimit me Berishën që në momentet e para. Në fjalimin që mbajti në Konventën e LSI-së ai tha se ky veprim ishte i nxituar.

Historia

Kronologjia nga shtatori i vitit 2004 kur u krijua

Që nga themelimi, LSI për

herë të parë në qeverisje

Për herë të parë pasi është krijuar, Lëvizja Socialiste për Integrim hyn në qeverisje. Ilir Meta, pesë vjet pasi u shkëput nga Partia Socialiste dhe krijoi partinë e tij, arrin të përfshihet në një qeveri, por të djathtë, dhe nën drejtimin e Sali Berishës. Meta dha dorëheqjen si Kryeministër i vendit në 2003-shin dhe një vit më vonë u largua me një grup drejtuesish të PS, largim që u reflektua edhe në bazën socialiste. Vetëm në zgjedhjet e 2005-ës, kur e majta humbi, u kuptua qartë se çfarë dëmi i kishte sjellë ky largim selisë rozë. LSI, ashtu si PS qëndruan për katër vite në opozitë, duke tentuar të bashkohen vetëm një herë. Ky bashkim solli suksesin e parë, fitoren e zgjedhjeve lokale të 2007-ës, por një vit më vonë filluan krisjet e para. Meta u largua nga koalicioni me PS, duke e akuzuar kreun e kësaj partie, Edi Rama, se kishte shkelur marrëveshjen me opozitën. Situata u acarua më tej me ndryshimet kushtetuese e mandej me Kodin Zgjedhor, kur LSI ndjeu rrezikun se po i hiqej e drejta për të pasur komisionerë në strukturat e organizimit të zgjedhjeve. Në zgjedhjet e 2009, LSI hyri në koalicion më vete dhe deklaroi bashkëpunimin vetëm pas zgjedhjeve me Partinë Socialiste. Rezultati i arritur në këto zgjedhje solli qëndrime të papritura dhe një javë pas 28 qershorit, Ilir Meta pranoi ftesën e Sali Berishës për të bashkëqeverisur. Katër deputetët e kësaj partie, që i sigurojnë një mazhroancë normale së djathtës, kanë detyruar PD që të diskutojë më shumë se një post ministror, sikundër ka ndodhur me aleatët e saj në qeverisjen e kaluar. LSI ka shprehur preferencë për disa ministri, si ajo e Shëndetësisë, Arsimit, e Jashtme, madje dhe Ministrinë e Ekonomisë. Të gjitha këto preferenca mbeten për t‘u saktësuar deri në takimin mes Metës dhe Berishës, të cilët po kujdesen që gjithçka të mbetet e fshehtë.

Forumet e LSI

"Zërat kundër" nuk

cenojnë katër

mandatet në Kuvend

Lëvizja Socialiste për Integrim ka katër mandate deputetësh që do ta përfaqësojnë në Parlament, ndërsa kryesia e saj ka 39 anëtarë. Në vendimmarrjen e Kryesisë, e cila zgjodhi të thërrasë Konventën Kombëtare për t‘i paraqitur si pikë në rendin e ditës rezolutën për bashkëpunimin me Berishën, nuk ishin të pranishëm disa prej këtyre figurave, që sot kundërshtojnë bashkëpunimin. Kjo mungesë e këtyre përfaqësuesve shkaktoi krisjen e parë brenda forumit të lartë vendimmarrës. Krah Metës u renditën sekretari u përgjithshëm u LSI-së, Petrit Vasili, kreu i Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto, Sokol Axhemi, Filloreta Kodra, Dritan Prifti, Dritan Ylli si dhe përfaqësuesit e Forumit Rinor të LSI, Erisa Xhixho, Besian Pesha, Ardit Çela etj. Sakaq, Lëvizja Socialiste për Integrim arriti të marrë katër mandate në Parlamentin e ri shqiptar. Ilir Meta, kreu i kësaj partie, Nasip Naço, një emër i ri që vjen nga radhët e drejtësisë, Lefter Koka, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, dhe Dritan Prifti, bashkëpunëtor i ngushtë i Ilir Metës. Mes katër emrave të deputetëve të LSI, roli i Lefter Kokës mbetet ende enigmatik, kjo për faktin se ai ka bërë të ditur se do të pranojë të japë votën e tij "pro" qeverisë "Berisha" në provën e parë në Parlament, por kjo mbetet për t‘u parë nëse do jetë "pro" nismave të qeverisë më tej. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, edhe pse në ditët e para pas zgjedhjeve, heshti ndaj kësaj zgjedhjeje të mundshme, tanimë mbron me bindje veprimin që ka ndërmarrë. Sakaq, Dritan Prifti është i pari që ka sinjalizuar bashkimin me Berishën, madje pa asnjë kusht.

Qëndrimi

Pozicionimi i Ramës: Kjo

është koha e maskarenjve

Kjo është koha e maskarenjve. Me këtë deklaratë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nisi fjalimin e tij pak orë pas Ilir Meta pranoi ftesën e Berishës për bashkëqeverisje. Rama tha se ky ishte një bashkëpunim i ideuar qysh para zgjedhjeve përderisa LSI nuk priti përfundimin e gjithë procesit zgjedhor që të jepte një përgjigje. Sakaq, qëndrimit për atë që Rama e konsideroi martesa Berisha-Meta është i përsëritur në të gjitha daljet publike të selisë rozë. Ai konsiderohet një koalicion i turpshëm, ndërsa kjo i ka dhënë shtysë që të deklarojë se PS ka pasur të drejtë kur vlerësonte se vota për LSI do të thotë votë për Sali Berishën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›