Berisha: Brenda pak ditësh nisin punimet për Tiranë-Elbasan
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se brenda pak ditësh nisin punimet për autostradën. Berisha prezantoi edhe kandidatët e mazhorancës për qarkun e Korçës
TIRANË- Ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan do të fillojë brenda pak ditësh. Kryeministri Sali Berisha ka premtuar dje në Elbasan fillimin e punimeve, ndërsa ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi. “Me Durim Hushin, ne jemi të vendosur që katër vitet që vijnë të shumëfishojmë investimet në këtë qytet të mrekullueshëm. Brenda pak ditësh, ne inaugurojmë fillimin e punimeve të autostradës Tiranë-Elbasan, e cila shkurton së paku me 50 minuta distancën midis kryeqytetit dhe Elbasanit dhe i shndërron këto dy qytete në një metropol të përbashkët. Në këtë qark, katër vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar e rindërtuar 400 kilometra rrugë, por ju garantoj se investimet më të mëdha janë të këtij katërvjeçari. Qyteti juaj do të ketë unazën dhe By pass-in dhe me Durim Hushin do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo rrugë të këtij qyteti, çdo shkollë, kopsht, sistem kanalizimi, qendra shëndetësore. Ne do të bëjmë gjithçka për një Elbasan, qytet të zhvilluar, Shqipëri, vend të zhvilluar”, tha dje Berisha. Kryeministri iu referua edhe debatit që është bërë për këtë çështje në Kuvend. “Ju bëj thirrje nga kjo tribunë, të rikujtoni natën, kur, në parlament, gjer vonë pas mesnate, kalorësit e rrugës së vetmuar mbajtën parlamentin, bënë çdo gjë për ta bllokuar, vetëm e vetëm të mos votohej buxheti për tunelin. Atë natë ju deklarova se nuk ka gjë në botë ta pengojë ndërtimin e tunelit, se zotërinjve deputetë socialistë të Elbasanit, të Korçës, Librazhdit që komandoheshin me sms për të votuar kundër tunelit, qytetarët e Elbasanit, të Korçës, të Librazhdit do të dinë t’u japin përgjigjen e merituar me votën e tyre. Për zotin Edi Rama, autostrada dhe tuneli më mirë të mos ndërtohej njëqind herë, sesa ta ndërtonte atë qeveria e Sali Berishës”, tha ai. Po dje, kryeministri i vendit ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në qarkun e Korçës. Në vijim të axhendës së takimeve, në kuadër të prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Berisha u takua me qytetarë të Devollit, ku prezantoi dhe shprehu mbështetjen për kandidatin e këtij koalicioni për kryetar bashkie, Valter Miza. Kryeministri garantoi qytetarët e Devollit se investimet në bashkinë e në komunat e tij do të shumëfishohen si dhe do të bëhet çdo investim që nxit agrobiznesin, përpunimin dhe tregun e prodhimeve të kësaj zone. ”Vite më parë, në mbarë vendin kishte gjithsej 2400 kilometra rrugë të asfaltuara, vetëm në 5 vite kemi asfaltuar, ndërtuar e rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë, në të katër anët e Shqipërisë. Në qarkun tuaj, ndërtuam autostradën Korçë-Qafë Plloçë, po ndërtojmë autostradën Qafë Plloçë-Qukës, po ndërtojmë autostradën Elbasan-Tiranë, me të cilat ne afrojmë Devollin me Tiranën, së paku, një orë e gjysmë më shpejt”, - tha Berisha në Devoll. Ndërsa në Përrenjas, kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen e qytetarëve për kandidatin e koalicionit të mazhorancës, Bajazit Karriqi. ”Ju bëj thirrje të bashkohemi në alternativën për qytetarin. ‘Aleanca për qytetarin’ është aleanca më e fuqishme që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj. "Aleanca për qytetarin" është aleanca, në të cilën ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Përrenjasi është i pari, Shqipëria është e para. Në 8 maj të votojmë të gjithë në shtëpinë e qytetarit. Në shtëpinë e "Aleancës për qytetarin" ka vend për të gjithë ju, pavarësisht nga bindjet politike dhe ju garantoj se do të gjeni në këtë shtëpi respektin që meritoni, dinjitetin që meritoni”, - tha Berisha në Përrenjas.