Berisha: Buxhet historik, opozita: Është buxhet mashtrues dhe elektoral
Mazhoranca ka miratuar dje me shumicë votash buxhetin e vitit 2009, me gjithë kundërshtimet që ka shfaqur opozita, e cila e ka konsideruar këtë buxhet si elektoral dhe për më shumë mashtrues. Kryeministri Berisha ka folur për rreth 1 orë e 45 minuta, duke thënë se ky është buxheti më i mirë i miratuar ndonjëherë në Shqipëri, buxhet i cili, sipas tij, kap shifrat e 383 miliardë lekëve apo 5.2 miliardë dollarë. Në buxhet të bie në sy se 47 për qind e fondeve të vëna në dispozicion për investime në rrugë, do të shkojnë për rrugën Durrës- Kukës. Më tej Berisha ka lënë sallën, me gjithë kërkesat e opozitës për të qenë prezent në sallën e Kuvendit gjatë diskutimeve të tyre. Kryeministri është larguar, pasi ishte i ftuar në një emision televiziv, megjithëse në Kuvend diskutohej një ndër ligjet më të rëndësishme, siç është buxheti.
Opozita nga ana e saj e ka konsideruar këtë buxhet si një mashtrim të radhës të qeverisë shqiptare, i cili bëhet për efekt elektoral. Arben Malaj, anëtari i Komisionit të Ekonomisë, u shpreh në fjalën e tij se kryeministri ka mashtruar me shifrat e buxhetit në masën 400%. Ai tha se përgjegjësia e opozitës është të tregojë sesa e papërgjegjshme është kjo qeveri. “Me këtë buxhet po shikojmë se ju keni ngelur në vend. Nuk mund t’i gënjesh shqiptarët me shifra bruto, kur shqiptarëve nuk iu dalin ato lekë as për të blerë gjërat minimale të jetesës”, - tha Malaj. Më pas Malaj paraqiti gjithë sondazhet e ndërkombëtarëve, ku Shqipëria kishte rënie në të gjithë treguesit, si për konkurrueshmërinë ekonomike, edhe për korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend.
Ndërkohë, në fjalën e tij kryeministri u shpreh se buxheti i vitit 2009, është buxheti i rrogave të lartë dhe investimeve në rrugë. Sipas tij, buxheti i vitit të ardhshëm dyfishon rrogat e ulëta, ndërsa për sa i përket administratës rrogat do të përafrohen me ato të Çekisë, Polonisë dhe Hungarisë. Nuk do ketë rrogë në administratën time nën 210 mijë lekë. Punonjësit e administratës do marrin një rrogë mesatare 60% më të madhe. Me këtë nivel ne afrohemi me rrogat mesatare të Çekisë, Polonisë dhe Hungarisë. Buxheti i vitit 2009 ndryshon për mirë rrjedhën e 800 mijë familjeve shqiptare. Gjithashtu, ky buxhet është buxheti i 520 mijë pensionistëve, të cilët do të marrin një pension rreth 50% më të madh që nga 1 maji i vitit 2009. Ne do kemi pensione më të larta se Rusia, dhe gjithë vendet e tjera të Evropës. 123 mijë lekë do jenë pensionet në qytet, ndërkohë që pensioni i invalidëve do shkojë në 110 mijë lekë”, - tha Berisha
Buxheti, i bazuar në rritjen ekonomike 6%, FMN tha do jetë vetëm 3,5%
Buxheti i vitit 2009, i cili kap një vlerë prej rreth 413 miliardë lekësh, është bazuar mbi një rritje ekonomike të pritshme për qeverinë prej 6 %, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se rritja ekonomike vitin që vjen do të jetë rreth dy herë më e ulët. Në bazë të këtyre të dhënave qeveria ka parashikuar dhe ka kthyer në ligj edhe nivelin e të ardhurave dhe të shpenzimeve që ajo do të kryejë. Fakti që ekonomia, sipas Fondit Monetar, do të rritet me 3.5 për qind dhe jo me 6 për qind, do të thotë se ekonomia do të ketë rreth 400 milionë dollarë më pak se sa e ka parashikuar buxheti dhe kjo do të thotë se biznesi dhe qytetarët do të kenë mundësi shumë më të vogla për të çuar në arkën e shtetit sasinë e të ardhurave të parashikuar në buxhet. Nuk është e qartë se si qeveria do të mund të realizojë të ardhurat, në rast se ekonomia do të ketë rritje në nivelin e parathënë nga FMN.
Investimet të përqendruara në projekte që mbyllen brenda qershorit
Investimet për vitin që vjen në masën më të madhe janë parashikuar të shkojnë në projekte dhe vepra publike që janë hapur dhe parashikojnë mbylljen në kohën e fushatës së zgjedhjeve. Thuajse të gjitha projektet kryesore të nisura vite më parë apo edhe gjatë këtij viti janë parashikuar të financohen plotësisht deri në qershor, në mënyrë që ato të mbyllen. Janë një sërë rrugësh të rëndësishme, të cilat do të marrin pjesën dërrmuese të financimeve të zërit të parave të caktuara për investime, si Durrës- Kukës, Rruga e Bregut me disa segmente, rruga Pogradec- Korçë, Fier-Levan e shumë të tjera. Nuk është e qartë, nëse këto financime do të mund të bëjnë të mundur mbylljen e këtyre projekteve, por paratë për këtë gjë në buxhet janë përcaktuar. Në pjesën më të madhe buxheti i investimeve funksionon në këtë mënyrë edhe për një numër shkollash dhe ujësjellësish, të cilat edhe ato duhet të mbyllen brenda qershorit. Përqendrimi i investimeve në këto projekte dhe mbyllja e tyre brenda gjysmës së parë të vitit është një gjë shumë e mirë, pasi qytetarëve do iu jepen disa vepra të rëndësishme, megjithatë kjo shpërndarje ka shmangur vëmendjen nga të tjerë zëra.
Kriza e pritshme ekonomike, buxheti mban rezervë 16 miliardë lekë
Në rast se kriza financiare do të prekë vendin tonë dhe mund të fusë në vështirësi të gjithë ekonominë, qeveria shqiptare parasheh të hedhë në treg një sasi të konsiderueshme parash. Në buxhetin e ri të shtetit janë parashikuar rreth 16 miliardë lekë, të cilat do të përdoren për këtë gjë. Qeveria nuk ka bërë të qartë se në ç’mënyrë ajo mund t’i përdorë këto pará, por thjesht i ka lënë ato në fondin e kontigjencës. Nga ana tjetër, kriza financiare ndërkombëtare e ka detyruar qeverinë shqiptare që të mos marrë pjesë në tregun evropian të bonove të thesarit. E trembur nga kriza ekonomike, qeveria shqiptare thjesht ka caktuar këtë fond dhe po ashtu në projektbuxhetin e vitit 2009, qeveria ka parashikuar që të zvogëlojë deficitin buxhetor me 1 pikë përqindje në krahasim me vitin 2008. Pra, programimi i deficitit për vitin 2009 është 4.2% e PBB dhe kjo për shkak të presionit të FMN, por edhe krizës së pritshme, e cila mund të acarohet nga tregues të lartë të deficitit. Në fondin kontigjencë parashikohet që 2 miliardë të jenë fond rezervë në dispozicion të qeverisë, 8.4 miliardë lekë kontigjencë për të përballuar efektet financiare të politikave të rritjes së pagave dhe të pensioneve dhe 6 miliardë lekë kontigjencë e parashikuar për ruajtjen e deficitit. Qëllimi kryesor i parashikimit të fondit të kontigjencës është i lidhur me eliminimin e riskut në procesin e zbatimit të buxhetit të shtetit.
Zgjedhjet, pagat do të rriten dy muaj më herët se vitet e kaluara
Nisur nga fakti që viti që vjen është vit zgjedhjesh dhe se ato mund të mbahen para korrikut, qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë pagat dhe pensionet një muaj më herët se ç’ka bërë në vitet e kaluara. Në buxhetin e ri parashikohet një rritje pagash që në një maj dhe jo në 1 korrik si në 2006, 2007 dhe 2008. Edhe këtë vit qeveria ka vendosur që mjekët dhe arsimtarët të përfitojnë rritjen më të lartë të pagave, ndërsa për sa i përket pensionistëve edhe në 2009-ën, më të privilegjuarit do të jenë pensionistët e fshatit. Rritja mesatare e pagave në sektorin publik për vitin 2009 do të jetë 10 për qind. Duke nisur nga 1 maji i vitit të ardhshëm, rritja e pagave të mësuesve të sistemit të arsimit parauniversitar është 14 për qind. Ndërkohë që për pagat e punonjësve të sistemit universitar rritja e pagave do të jetë e diferencuar. Në këtë mënyrë fondi i pagave për Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës në 2009-ën është parashikuar që të rritet me 10 për qind. Ndërsa për sektorin e shëndetësisë qeveria ka vendosur që në 2009-ën pagat të rriten mesatarisht me 12.3 për qind, por niveli i rritjes do të jetë i diferencuar në bazë të pagës. Për sektorin e shëndetësisë fondi total i pagave në 2009-ën do të rritet me 2.6 për qind. Duke nisur nga 1 maji i vitit të ardhshëm, pensionet e qytetit do të rriten me 10 për qind, ndërsa pensionet e fshatit me 20 për qind. Edhe qeveria ka vendosur që pensionet e fshatit të rriten më shumë se të qytetit. Në fakt, gjatë tre viteve të fundit pensionet e fshatit kanë përfituar rritjen më të lartë të pensionit. Sipas drejtuesve të qeverisë, një vendim i tillë është marrë me qëllim që të zvogëlohet distanca e madhe që ekzistonte mes nivelit të pensionit të fshatit me atë të qytetit. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, numri i pensionistëve në të gjithë vendin arrin në 520 mijë.