Topi, sërish përplasje me qeverinë
Dita e djeshme shënoi një tjetër përplasje mes institucionit të Presidentit dhe ekzekutivit.
Gjatë takimit konsultativ me anëtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e KLD dhe Prokuroren e Përgjithshme, presidenti Bamir Topi tha se vendimet e drejtësisë nuk po ekzekutohen nga Përmbarimi që varet nga qeveria, në një masë prej tre të pestash, çka bën, sipas presidentit, që autoriteti i shtetit të quhet i rrëzuar. Madje, presidenti shkoi dhe më tej, kur tha se njerëz që punojnë në administratë bëjnë veprime kundër këtyre veprimeve për t’iu dhënë zgjidhje administrative.
“Duket sikur me drejtësi qytetari apo subjekti mund të kalojë dhe vite me radhë në procese të stërmundimshme, që është pjesë e natyrës së drejtësisë, në fund merr një vendim dhe ai vendim rezulton thjesht në letër, sepse është i paekzekutuar. Këto janë të gjitha statistikat e azhornuara të ditëve të fundit, ku vetëm dy të pestat e vendimeve për ekzekutim janë realizuar.
Pjesa tjetër, tri të pestat, janë ekzaktësisht 8868 çështje. Skandaloze! 8868 çështje, çka do të thotë që moszbatimi i tyre rrëzon autoritetin e shtetit, autoritetin e drejtësisë.
Me cilësinë e kryetarit të shtetit, pa diskutim, kam edhe informacione të tjera, që edhe mbas vendimeve të Gjykatës së Lartë, pas vendimeve të formës së prerë, njerëz që punojnë në administratë, vazhdojnë operacione mbas këtyre vendimeve për t’i dhënë zgjidhje administrative”, - tha Topi.
Menjëherë ka reaguar Ministria e Drejtësisë, e cila fillimisht ka tentuar të sqarojë “juridikisht” presidentin se Gjykata e Lartë vendos mbi ligjin dhe jo mbi faktin në një çështje gjyqësore. Kjo ministri ka deklaruar se 8868 çështjet që thotë presidenti se nuk janë ekzekutuar, nuk janë çështje të zvarritura, por çështje në ekzekutim e sipër.
“Statistikat zyrtare që disponon Ministria e Drejtësisë tregojnë se në periudhën janar - shtator 2008 në rrethin e çështjeve që janë pjesë e punës së shërbimit përmbarimor janë ekzekutuar 3675 çështje dhe iu është dhënë zgjidhje ligjore 5994 çështjeve. Shifra prej 8868 nuk tregon numër çështjesh të zvarritura apo të mbetura pa u ekzekutuar sipas ligjit. Kjo shifër, referuar statistikave zyrtare, tregon numrin e çështjeve në ekzekutim e sipër nga shërbimi përmbarimor, pra në proces sipas procedurave të fiksuara në Kodin e Procedurës Civile, i cili parashikon veprime konkrete për t’u kryer nga përmbaruesi dhe afate konkrete për t’u përmbushur këto veprime”, - thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Bamir Topi
“Drejtësi jepet për qytetarin, kur drejtësia punon në të gjithë network-un. Punon me legjislativin, punon me ekzekutivin, punon me institucionin e Presidentit, punon me të gjitha linjat: Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Shkallës së Parë, e Apelit; të gjitha me radhë janë pjesë e një sistemi, ku qytetari duhet të shikojë seriozitetin e funksionimit të strukturave shtetërore, që shteti të jetë serioz; shteti të ketë një performancë harmonike kudo në të gjitha qelizat e tij dhe, tek e fundit, ju keni detyrime specifike.
Gjykata e Lartë ka pozicionin e vet suprem, por e ka të lidhur patjetër jo vetëm me kontrollin e vendimeve të gjykatave më të ulëta, por patjetër në të gjithë sistemin dhe në fytyrën e fizionominë e sistemit të drejtësisë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjykon mbi gjyqtarët. Vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të apeluara nga gjyqtarët, ndaj të cilëve mund të merren masa, kalojnë te ju; pra kemi të bëjmë me një sistem enësh komunikimi, ku të gjithë duhet të punojnë për të njëjtin qëllim, për rritjen e seriozitetit të fizionomisë së performancës së drejtësisë dhe për të dhënë drejtësi reale; dhe puna prapë nuk përfundon këtu, sepse ka shumë vendime të formës së prerë, vendime të Gjykatës së Lartë, të cilat nuk po ekzekutohen. Duket sikur me drejtësi qytetari apo subjekti mund të kalojë dhe vite me radhë në procese të stërmundimshme, që është pjesë e natyrës së drejtësisë, në fund merr një vendim dhe ai vendim rezulton thjesht në letër, sepse është i paekzekutuar. Këto janë të gjitha statistikat e azhornuara të ditëve të fundit, ku vetëm dy të pestat e vendimeve për ekzekutim, janë realizuar.
Pjesa tjetër, tri të pestat, janë ekzaktësisht 8868 çështje. Skandaloze! 8868 çështje, çka do të thotë që moszbatimi i tyre, rrëzon autoritetin e shtetit, autoritetin e drejtësisë.
Me cilësinë e kryetarit të shtetit, pa diskutim, kam edhe informacione të tjera, që edhe mbas vendimeve të Gjykatës së Lartë, pas vendimeve të formës së prerë, njerëz që punojnë në administratë, vazhdojnë operacione mbas këtyre vendimeve për t’i dhënë zgjidhje administrative. Ku është sensi i shtetit këtu?”
Ministria e Drejtësisë
“Ministria e Drejtësisë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit ka detyrimin për ekzekutimin e detyrueshëm të vendimeve gjyqësore civile, si dhe të vjeljes së detyrueshme të gjobave të dhëna si dënim në proceset gjyqësore penale. Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit është e angazhuar maksimalisht për ekzekutimin në kohë dhe të plotë të titujve ekzekutivë të nxjerra nga gjykata mbi bazën e vendimeve gjyqësore të formës së prerë të dhëna nga Gjykata e Apelit.
Sipas sistemit ligjor në fuqi, ekzekutimi i detyrueshëm i vendimeve gjyqësore bëhet mbi bazën e urdhrave të ekzekutimit të dhëna në momentin që Gjykata e Apelit si gjykatë e fundme fakti jep zgjidhje mbi çështjen.
Gjykata e Lartë vendos mbi ligjin dhe jo mbi faktin në një çështje gjyqësore dhe vendimet e dhëna prej saj kanë karakter detyrues për gjykatat më të ulëta. Gjykata e Lartë, me ligj mund të disponojë pezullimin e ekzekutimit të detyrueshëm prej përmbaruesve dhe nuk ka asnjë rast që përmbaruesit gjyqësorë të mos kenë ekzekutuar një vendim pezullimi të Gjykatës së Lartë.
Statistikat zyrtare që disponon Ministria e Drejtësisë tregojnë se në periudhën janar- shtator 2008 në rrethin e çështjeve që janë pjesë e punës së shërbimit përmbarimor janë ekzekutuar 3675 çështje dhe iu është dhënë zgjidhje ligjore 5994 çështjeve. Shifra prej 8868 nuk tregon numër çështjesh të zvarritura apo të mbetura pa ekzekutuar sipas ligjit. Kjo shifër, referuar statistikave zyrtare, tregon numrin e çështjeve në ekzekutim e sipër nga shërbimi përmbarimor, pra në proces sipas procedurave të fiksuara në Kodin e Procedurës Civile, i cili parashikon veprime konkrete për t’u kryer nga përmbaruesi dhe afate konkrete për t’u përmbushur këto veprime.
Krahas kësaj, Ministria e Drejtësisë ka punuar edhe për draftimin e dy projektligjeve për liberalizimin e shërbimit përmbarimor, i cili synon përshpejtimin e procedurave, rritjen e numrit të çështjeve të ekzekutuara dhe rritjen e cilësisë së shërbimit. Këto dy projektligje janë miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe janë në Kuvend”