E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toleranca si formë

Nga Mon Zhubi

Javën e kaluar në shumë vende të botës u shënua Dita ndërkombëtare e Tolerancës. Në të njëjtën kohë në Kosovë, një delegacion i shteteve të QUINT-it iu kërkoi me ngulm, në mënyrën më jo-tolerante, presidentit dhe kryeministrit të Kosovës që të pranojnë 6 pikat për instalimin e misionit të EULEX në Kosovë, pika të sajuara nga ekipet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Ban Ki Moon.

Duke mos dashur që t’i analizoj këto pika, ngaqë janë marrë gjerësisht me to shumë analistë në Kosovë dhe Shqipëri, personalisht më bëri përshtypje çështja e jo-tolerancës e këtyre emisarëve ndaj bashkëbiseduesve kosovarë në Ditën ndërkombëtare të Tolerancës.

Fatkeqësisht, pak njerëz e kanë vërejtur këtë. Shumica e njerëzve mendojnë se kanë lindur tolerantë. Toleranca edhe sot është një ndër fjalët më të ngarkuara. Disa madje tolerancën e ngrenë, së bashku me të drejtat njerëzore, në nivelin e absolutes. Por ka edhe të atillë që as nuk duan të dëgjojnë për të.

Për shembull, besimtarët, shumica nga ta (në mënyrë praktike jo-verbale), tolerancën në shumicën e rasteve e mohojnë. Kjo vjen se, sipas tyre, në qoftë se toleranca është jofetare, atëherë ajo ka ide sinkretistike. Si e tillë e vë në pyetje absolutizmin e besimit të tyre.

Disa besimtarë dhe teologë të “adaptueshëm” që të jenë edhe më të popullarizuar edhe me botën sekulare, shfrytëzojnë çdo vend që të propagandojnë tolerancën nga librat e shenjta, duke ditur se në ta gjendet çdo gjë.

Te ne shqiptarët ende ekziston mënyra e çoroditur politiko-nostalgjike e tolerancës nga kohët e bukura të kaluara! Kjo sidomos bie në sy në Shqipëri, ngaqë një pjesë e konsiderueshme e popullit ende mendon se toleranca ka qenë prezente vetëm atëherë kur “tanët” udhëhiqnin shtetin. Kjo, sipas tyre, nënkupton se tolerancë kishte kur unë dhe bashkëmendimtarët e kishim mirë me udhëheqësit. Ky lloj miti për tolerancën, jo vetëm që është i rrezikshëm, por fatkeqësisht nuk vdes kurrë, ngaqë e ka bazën në politikë, në ca raste në religjion dhe kuptohet në ndërdije.

Të gjitha provat që të rregullohet shoqëria, por edhe shteti në parimin e modelit të ndonjë shteti të mëparshëm, të tolerancës së praktikueme më parë e që në të vërtetë, në atë shtet shihej qartë se dikush ishte dominant dhe i privilegjuar, gjithmonë prodhon telashe të paparapara.

Toleranca dhe pluralizmi i bazuar në të kanë lindur si parim i politikës sekulare për rregullimin shoqëror nga kontestimi i luftërave religjioze evropiane të shekullit XIII, të cilat përmes arsimimit, liberalizmit dhe demokracisë moderne të shekullit XX formuan si parim kushtetues sjelljen shoqërore.

Pluralizmi dhe toleranca lindën, pra, si zgjedhje edhe përkundër luftërave religjioze, apo si zgjidhje për konfliktet, ku dikush kishte pretendime të imponimit të së vërtetës absolute, i cili pastaj e kyçte edhe ateizmin shtetëror që njohim nga kohërat e kaluara, por edhe nga çdo lloj dogmatizmi individual.

Jemi të prirur që jo-tolerancën ta lidhim me bashkësi - te ne në Kosovë edhe me nacionalizëm – dhe me bashkësi fetare. Bashkësitë jo-tolerante, në shumicën e rasteve i përcjell individualizmi i dhunshëm dhe i mbyllur i një personi, i cili është brenda këtyre bashkësive, por edhe të atyre, të cilët përmes jo-tolerancës veçohen nga çdo lloj përkatësie bashkësish. Këta individualistë jo-tolerantë gjithmonë mendojnë se dikush apo diçka i ka shtyrë ata atje ku nuk e kanë vendin.

Disa teoricienë dallojnë tolerancën aktive dhe pasive, si dhe atë formale dhe joformale. Në këtë aspekt edhe neve shqiptarëve na pret një punë e madhe, gjersa t’i pranojmë rregullat bazike të tolerancës, si pluralizmin shoqëror, qoftë në nivelin nacional apo religjioz, por edhe të dallimeve tjera strukturore.

Gjithashtu, na duhet që në lëmin e marrëdhënieve publike të heqim dorë nga çdo lloj superioriteti dhe perfeksionimi të pakushtëzuar. Vetëm duke pranuar tolerancën e dallimeve hapet mundësia e bashkëjetesës.

Në këtë kontekst, kur Kosova ka Kushtetutën e saj, e cila ka ligjet më të përparuara në botë për të drejtat e minoriteteve dhe kur dihet se jo vetëm politika kosovare, por edhe ajo ndërkombëtare, e instaluar që prej 9 vitesh në Kosovë nga Kombet e Bashkuara, tentuan në vazhdimësi që me lloj-lloj formash (në shumicën e rasteve duke iu lëshua pe), t’i joshin serbët për kyçjen e tyre në jetën politiko-shoqërore, është e pakuptimtë trysnia dhe jo-toleranca e këtij delegacioni ndaj Kosovës për pranimin e planit prej 6 pikash të Ban Ki Moon.

Kosovarët e dinë më mirë se askush në botë çka do të thotë superioriteti nacional. Ata me qindra vite e kanë ndier në gërbaqën e tyre këtë dukuri të shëmtuar. Ata gjithashtu gjatë këtyre 9 viteve iu kanë dëshmuar serbëve, por edhe bashkësisë ndërkombëtare, se janë të gatshëm për bashkëjetesë, duke dëshmuar në formën më të mirë tolerancën që na karakterizon si popull. E drejta në dallimet personale është e lidhur me përgjegjësinë dhe dallimin e tjetrit, e këtë shqiptarët e kanë dëshmuar tashmë shumë herë.

Rruga për te një shoqëri pluraliste demokratike nuk ka për qëllim bashkimin imagjinar, as kurrfarë kthimi me dhunë, por shkarkimin e çfarëdo lloj paramendimi të supremacisë.

Atje ku toleranca instalohet si qëllim, herët a vonë do të ketë ndarje apo luftë. Kurrkush më shumë se ne në Kosovë nuk e ka provuar këtë teori, kur praktikimi i tolerancës si qëllim ka prodhuar nihilizmin etik të vendimeve amorale dhe katastrofale, të instaluara në kinse korrektësinë e mëparshme politike apo cinizmit dhe mbrojtjes egoiste të pozicionit partikular (forcës dhe komoditetit), sipas të cilës, të gjitha palët në konflikt janë të njëjta.

Toleranca është parakusht dhe pikënisje e metodës deri te qëllimi më i madh, që nënkupton të gjitha anët dhe të gjitha pozicionet në konflikt.

Toleranca është atmosfera, mikpritja e dialogut, përgjegjësi për tjetrin, por edhe mund i përhershëm për të kuptuar tjetrin, edhe atëherë kur ai e ka gabim, që të qëndrosh oponent, që të polemizosh, por edhe të konfrontohesh, gjithmonë nga perspektiva e së mirës dhe me qëllim që të arrihet e vërteta, duke respektuar faktet, logjikën dhe kontekstin.

Toleranca duhet të kyçë jo-perfeksionimin njerëzor, përfundimin dhe vuajtjet që na karakterizojnë të gjithëve, që parakushtëzojnë lirinë, të vërtetën dhe pajtimin si qëllim i të gjithëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›