E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkatarët, plumba në bregdet

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Plumba në bregdetin e Tales në Lezhë ndërmjet peshkatarëve. Konflikti për zonën e peshkimit precipitoi me plagosjen e një 59- vjeçari. Sipas policisë, Pal Lekaj, u plagos me armë gjahu pas debatit që kishte me peshkatarin Viktor Luli. Ky i fundit është arrestuar me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje. I plagosuri nga fshati Ishull ishte paralajmëruar disa herë nga peshkatari nga Talja, që të mos t'i hidhte rrjetat në "zonën e tij". Por 59- vjeçari, duke mos pasur asnjë mundësi tjetër mbijetese, është detyruar t'i hedhë rrjetat për peshkim, pikërisht në Tale. Viktor Luli, pasi kishte parë rrjetat e hedhura, dje që në mëngjes e ka pritur 59-vjeçarin nga ku fillimisht është konfliktuar me të. Por duket se rezistenca e Lekajt për të mos u larguar nga zona, bëri që Luli ta qëllonte atë me armën e gjahut që mbante me vete. Policia e Lezhës është sinjalizuar për ngjarjen dje rreth orës 08:00 nga spitali, pasi Lekaj kishte mbërritur në gjendje të rëndë, ndërsa ngjarja kishte ndodhur një orë para se mjekët të jepnin informacionin në polici. Sipas mjekëve, viktima ishte paraqitur në urgjencën e spitalit me dëmtime të rënda në bark dhe në krah. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, 59-vjeçari e kaloi rrezikun për jetën. Efektivë të komisariatit dhe të sektorit të krimeve të rënda të Drejtorisë së Policisë së Lezhës, pas marrjes së informacionit bënë të mundur pas rreth 50 minutash arrestimin e autorit të kësaj plagosjeje. Sipas policisë, në momentin e arrestimit të Viktor Lulit, nga fshati Grykë - Lumi, të komunës Tale, u sekuestrua edhe arma e gjahut me të cilën ishte bërë plagosja. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja në bregdetin e Tales ndodhi kur peshkatarët amatorë kanë nisur konfliktin mes tyre për zonat e peshkimit. Pas hetimeve paraprake rezultoi se Viktor Luli e kishte paralajmëruar 59-vjeçarin Lekaj që të mos shkonte dhe të gjuante peshk në Tale. Por viktima, duke dashur të siguronte bukën e fëmijëve të tij, kishte hedhur rrjetat dy ditë më parë. Ndërsa dje në mëngjes ai kishte shkuar të mblidhte rrjetat, Luli pas debatit me të e ka qëlluar me armë gjahu, çifte. Prej disa kohësh, peshkatarët e Lezhës kanë nisur të "përvetësojnë" zonat e peshkimit, ndërsa jo rrallë herë, kjo ka qenë shkak i konflikteve e debateve të ashpra ndërmjet tyre. Shumë peshkatarë detyrohen të hedhin rrjetat shumë afër bregut, duke lundruar me barka të vogla. Shkak për këtë është bërë vendimi për heqjen e naftës pa akcizë për peshkatarët, çka shkaktoi goditje për ta. Ata nuk kanë mundësi të përballojnë naftën, ndaj dhe nisën të peshkojnë me metoda amatore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›