Berisha: Buxheti 2009 mundëson zgjedhje të lira
Buxheti i qeverisë shkon në funksion të zgjedhjeve të lira të 2009-ës, në të cilin janë parashikuar të gjitha fondet për qytetarët shqiptarë, me një sistem të ri zgjedhor dhe me një legjislacion të ri. Kjo, sipas Kryeministrit Sali Berisha, u jep mundësi shqiptarëve që të votojnë të lirë si qytetarët evropianë. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, kreu i qeverisë e cilësoi draftin ekonomik më të rëndësishëm të qeverisë si një skemë e cila përmbush të gjithë objektivat e qeverisë për rritje të mëtejshme ekonomike, më shumë rrugë të shtruara dhe më shumë para në xhepat e buxhetorëve shqiptarë. Kryeministri vlerësoi se buxheti i shtetit është buxheti i dytë i çdo qytetari dhe prej tij përfitojnë direkt 800 mijë familje shqiptare. “Me këtë buxhet, pensionisti i fshatit që ka marrë 34 mijë lekë pension, do të marrë 72 mijë lekë; pensionisti i qytetit, të cilit i kishim premtuar se nuk do të ketë pension në qytet nën 100 dollarë, kalon në një mesatare prej 130 dollarë; infermierja që merrte 150 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 310 mijë lekë, pra ka një mbidyfishim të rrogës; mjeku që merrte 190 mijë deri në 200 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 420 mijë lekë; mësuesi që merrte 220 mijë lekë, do të marrë së paku 440 mijë lekë”, - tha z. Berisha. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se ky është buxheti i infrastrukturës evropiane të Shqipërisë. Me këtë buxhet përfundon së ndërtuari korridori shqiptar, vepra e shekullit, nis ndërtimi i autostradës Qafë-Plloçë – Qukës, shkon drejt përfundimit autostrada Fier – Vlorë, përfundon pothuajse në 2/3 rruga e Arbrit, përfundon studimi i boshtit qendror të Jugut, ndërtohet një rrjet rrugor ndërkombëtar nga Vermoshi në Konispol, përfundon rruga e bregut, e cila rikonstruktohet në gjithë gjatësinë e saj, ecet para në aksin Levan – Tepelenë, Sopot – Kamë – Krujë, Has – Kukës, si dhe vazhdon më tej unaza verilindore dhe juglindore e vendit, për të dalë nga Kalaja e Dodës, Peshkopi, Steblevë, Librazhd. Kryeministri përmendi se me këtë buxhet, këtë javë, nis projekti i madh i ndërtimit të 4 mijë km rrugë rurale, ndërsa theksoi se përmes buxhetit, qeveria realizon investimin për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe mbështetjen e bujqësisë, që në 4 vite të marra së bashku, arrin në 1.6 miliardë dollarë. “Unë kam 3 pyetje për kundërshtarët tanë politikë: Më gjeni një qeveri të vetme në botë që të ketë rritur dhe të ketë bërë, në një hark kohor sa ky yni, dyfishimin e pensioneve në fshat; më thoni një qeveri të vetme në botë që të ketë bërë në 4 vjet dyfishimin e rrogave të arsimtarëve, të ketë mbidyfishuar rrogat e infermierëve dhe të mjekëve. Gjeni qoftë dhe përgënjeshtrimin më të vogël të këtyre rezultateve të paraqitura prej nesh”, - tha z. Berisha.