E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Kodi Zgjedhor, arritje, por ka nevojë për t’u diskutuar

Prania e OSBE-së ka reaguar dje për Kodin Zgjedhor nga ku ka përsëritur se miratimi i tij përbën arritje, por diskutimi i mëtejshëm do të ishte i nevojshëm. Në një reagim zyrtar për mediat, OSBE-ja u shpreh se Kodi duhet të miratohet vetëm nga Kuvendi shqiptar por pa ndonjë presion nga ndonjë grupim. “Prezenca e OSBE-së përsërit sërish se është e mendimit se drafti i Kodit Zgjedhor, i cili është përgatitur nga vetë shqiptaret, është një arritje, por se ai ka ende nevojë për t’u akorduar më mirë. Për këtë arsye, ai duhet të diskutohet në forumin e duhur nga partitë, por pa presion nga ndonjë grupim. Prezenca e OSBE-së thekson sërish se Kodi, si në çdo demokraci, do të jetë vendim i Parlamentit shqiptar”, - thuhej në deklaratën zyrtare të OSBE-së. Më herët, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, hodhi idenë që diskutimi i Kodit të vazhdojë, por kësaj radhe në Komisionin e Ligjeve përpara se të kalojë në Kuvend. Ai tha më tej se elementet diskriminuese duhen përjashtuar, por nuk specifikoi elemente të tilla në Kodin e miratuar nga komisioni përkatës. “Çdo element diskriminues duhet përjashtuar. Shpresoj qe drafti duhet të rishikohet në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në Parlament. Është një punë në vazhdim dhe ka ende vend për zhvillim”, - u shpreh ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh. Ambasadori tha se në ligjin elektoral ka ende hapësira për diskutim dhe, sipas tij, formula aktuale mund të përfshijë të gjitha partitë. Për sa i përket numrit të komisionerëve, Bosh tha se në raportet e OSBE/ODIHR-it në vitin 2005, kërkohej shkurtimi i numrit të komisionerëve, por ai shtoi se nuk u specifikua ndonjë numër konkret. Ambasadori i OSBE-së tha se skema e numrit të komisionerëve duhet parë më me kujdes. “Tani, siç e kam thënë një herë më parë, pse ishte problem varianti 4 - 4 plus 1? Por, është e qartë se edhe me variantin 3 - 3 plus 1, mund të ketë përfaqësim të 6 partive, jo detyrimisht vetëm 2 parti me ketë skemë. Sidoqoftë, duhet të diskutohet”, - tha Bosh. Ai, njëkohësisht, foli edhe për pjesët teknike për të cilat duhet diskutuar. Ambasadori shprehu shqetësimin për mënyrën e shoqërimit të kutive të votimit si dhe kush do të paguajë për kamerat e vëzhgimit. “Thuhet në Kodin Elektoral, është një gjë e vogël. Transporti i kutive të votimit duhet bërë vetëm nga policia shqiptare. Kjo është një gjë e thjeshtë. Ju duhet të keni të paktën edhe Policinë Kufitare apo ndoshta dhe ushtrinë për të ndihmuar. Dua të them gjëra të vogla nuk janë të sakta në këtë kod. Do të ketë kamera mbi tavolina, ne flasim për 1200 kamera. Kush do të paguajë për këto kamera? Domethënë të gjitha këto janë gjëra praktike. A është menduar kjo gjë më parë me kujdes? Duhet të diskutohet se nga çfarë burimi do të vijnë paratë”, - tha më tej Bosh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›