E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Buxheti i 2010, buxhet i guximit


Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Sali Berisha bëri me dije se gjatë kësaj jave miratohet në qeveri buxheti 2010. Kreu i qeverisë vlerësoi se ky buxhet është buxheti i një guximi të veçantë sepse bazohet në parashikimin e rritjes së të ardhurave me 12%. Berisha tha se ky buxhet do të përmbushë direktivat dhe programin e maxhoranës të shpallur gjatë fushatës elektorale. Sipas kreut të qeverisë, buxheti i 2010-ës do mbështesë fuqishëm procesin e integrimit në BE dhe projektet që synojnë ndërtimin e Shqipërisë europiane. Berisha vlerësoi se rritja e majit të kaluar, ka qenë rritja më e madhe që u është bërë ndonjëherë rrogave. Sipas kreut të qeverisë në muajin shtator janë rritur me 7% eksportet në krahasim me gushtin. Ai shtoi se edhe importet janë në rritje. Kryeministri Berisha premtoi edhe një herë rritjen e rrogave dhe pensioneve. "Do vazhdojmë luftën ndaj vërfërisë siç kemi premtuar", theksoi ai. Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë se buxheti do mbështesë arsimin, moshën dixhitale, po ashtu edhe shëndetësinë. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Sali Berisha duke folur për pronat në Orikum, tha se ai do mbajë çdo premtim. Kreu i qeverisë tha se kishte ndjekur takimin e Ramës me banorët e Orikumit, ku lideri i opozitës kishte nxjerrë një person nga salla. "I them Ramës se nxjerrja e njerzve nga salla nuk është rruga e duhur, nuk mund të përdorë dhunshëm pushtetitn. Sa për pronat e Orikumit e garantoj se do mbaj çdo premtim të dhënë", tha ai.


Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike;

“Zotërinj deputetë! Mazhoranca po afron momentin më të rëndësishëm të veprimtarisë së saj vjetore, projektbuxheti për vitin 2010-të. Pa mëdyshje, ky është momenti më kulmor i veprimtarisë së një mazhorance. Ne e miratojmë projektbuxhetin këtë javë në qeveri dhe do ta sjellim për shqyrtim në Komisionet Parlamentare dhe Parlamentin në tërësi. Këtë vit, ligji i buxhetit hartohet mbi bazën e një ligji të ri organik që kjo mazhorancë e votoi para zgjedhjeve. Pra, hartohet me një kushtetutë të re buxhetore.
Ky buxhet do të përmbushë plotësisht direktivat apo programin e mazhorancës të shpallur para qytetareve shqiptarë gjatë fushatës elektorale; do të mbështesë fuqishëm procesin më kryesor të vendit, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian; do të mbështesë të gjitha projektet që synojnë ndërtimin e Shqipërisë evropiane. Buxheti i vitit 2010  është buxheti i një guximi të veçantë, sepse bazohet mbi parashikimin e rritjes së të ardhurave në vend prej 12 për qind. Kjo mund të jetë një nga qeveritë e vetme në botë, ndoshta e vetmja në Evropë, që parashikon rritje prej 12 për qind të të ardhurave. Ne e bazojmë këtë në performancën që patëm në dy vitet më kulmore të krizës financiare dhe ekonomike botërore, në vitet 2008-2009. Në rast se i rikthehemi gjysmës së dytë të vitit 2008 dhe gjysmës së parë të vitit 2009-të kanë qenë të panumërta prognozat pesimiste. Kanë qenë të shumta parashikimet e një rënie të madhe të ekonomisë shqiptare, por qeveria dhe mazhoranca nuk kishte këtë mendim. Ne vazhduam programin tonë në linjat kryesore dhe e zbatuam atë me sukses të plotë.
Ju lutem rikujtoni vetëm debatin për rrogat. Kujtoni se sa shumë u protestua, u kërkua dhe u bë thirrje që të mos rrisnim rrogat. Kjo, për fat të keq, ndodhte në mënyrën më paradoksale nga ata që nuk duhet të ndodhte ndonjëherë. Të bëjë opozita thirrje për të mos rritur rrogat është gjëja më paradoksale. Në një aspekt, thirrjet për mos rritur rrogat nuk ishin krejt të pabaza. Ato thirrje bazoheshin në projektimin e realiteteve të vendeve të tjera, në realitetin shqiptar, sepse rrogat, në mënyrë të padiskutueshme, jo vetëm që nuk u rriten, por u ulën nga 8 deri në 20 për qind në shumicën e vendeve. Rrogat u ulën, sepse nuk kishte të ardhura. Të ardhurat ranë ndjeshëm pakrahisimisht duke i krahasuar me një vit më parë dhe me gjithë rritjet e mëdha të deficiteve buxhetore, rrogat sërish u ulën. Nuk kishte likuiditet, nuk kishte para, nuk kishte të ardhura për të paguar jo rritjen e premtuar, por as nivelin e pagave të një viti më parë.
Në Shqipëri kjo nuk ndodhi. Në Shqipëri u bë rritje më e fuqishme e rrogave në tërë historinë e saj. Rritja e pagave në muajin maj ka qenë rritja më e madhe e rrogave që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Në Shqipëri projektet ecën me një shpejtësi të admirueshme. Absolutisht, edhe në Shqipëri ka pasur projektime dhe rrezatim të krizës ekonomike evropiane dhe botërore, kjo është e pamohueshme dhe do të ishte absurde të mendonim dhe të gjykonim ndryshe.
Ka pasur rënie të eksporteve dhe unë, të nderuar deputetë, kam kënaqësinë t’ju informoj ju se eksportet e shtatorit kanë një rritje prej 37 për qind, krahasuar me gushtin e këtij viti. Pra, akoma nuk kanë kapur gushtin e vitit të kaluar, por janë në rritje. Edhe importet janë në rritje dhe kjo është dëshmi e një gjallërie të madhe ekonomike. Investimet e huaja kanë pësuar një rritje të madhe dhe të paprecedent me 58 për qind. Kursimet po rriten lakmueshëm. Po rritet ndjeshëm krediti për ekonominë, në muajin shtator ishte 16 për qind më i lartë se sa një vit më parë. Kriza botërore nuk është se nuk kishte pasojë. Kishte pasojë në kursin e këmbimin, por si i thonë fjalës që çdo e keqe ka një të mirë të madhe pas, edhe në këtë rast kjo e mirë nuk ishte e vogël. Kjo mbajti eksportet dhe rritjen e tyre. Që të mbash eksportet do të thotë të mbash vendet e punës. Ndërsa vetë ministrat e Financave të eurozonës e denoncuan publikisht forcimin e Euros si një faktor që pakësoi eksportet e Bashkimit Evropian me 28 për qind. Ndërsa në Shqipëri i rriti ato, i rriti ndjeshëm. Nuk mund të them që nuk kishte disavantazhe, por edhe Banka ndërhyri me interesat dhe, për mendimin tim, bëri ndërhyrje shumë të goditur.
Vitin që vjen angazhimet tona do të vazhdojnë. Ne do të vazhdojnë me rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, sepse ne e kemi këtë politike kryesore; do të vazhdojmë me luftën e pamëshirë ndaj varfërisë dhe mjerimit; do të vazhdojmë me një standardizim të ri të ndihmës ekonomike. Ne do të vazhdojmë me projektet e mëdha, me rrugën e Arbrit, me boshtin e jugut, me boshtin Qafë Plloçë - Qukës dhe sapo të përfundojë projekti do të fillojë trajektorja më e shkurtër Tiranë – Elbasan për të bërë realitet, sa më shpejt të jetë e mundur, një ëndërr të fortë, të fuqishme, të drejtë dhe legjitime të qytetarëve të Elbasanit, për të ardhur në kryeqytetin e tyre në një kohë 20-25 minuta dhe për të ndjerë afërsinë gjeografike që kanë me kryeqytetin, por që i pengonte mali i Kërrabës. Tani do të jetë tuneli, i cili afron qytetin e Elbasanit, qytetin e dytë më të madh të vendit, me Tiranën, por afron dhe Korçën, Librazhdin, Pogradecin dhe pasi të ndërtohet Boshti i Jugut afron dhe Beratin, Tepelenën, Delvinën, Sarandën, Gjirokastrën me kryeqytetin e tyre dhe na bën të mundur të mbajmë dhe zotimin tonë që Tirana të arrihet me më pak se gjysmën e kohës që arrihet tani nga çdo pikë e vendit. Mendoj se në këtë mënyrë ndikojmë fuqishëm në procesin e zhvillimit të vendit.
Ky buxhet do të mbështesë fuqishëm reformën në shëndetësi. Ky mandat në raport me reformat është mandati i reformave të thella në shëndetësi. Mamografia, Pap testi, por, për t’i bërë qejfin edhe liderit të opozitës, edhe Echographia e nënave shtatzënë do të jenë falas. Këtë ai e premtoi në program, por nuk vjen të bëjë betejë në Parlament. Por, e marrim dhe e shndërrojmë në realitet. Këto ekzaminime do të jenë falas, shpenzimet për to do t’i marrë përsipër qeveria. Ky buxhet do të mbështesë arsimin, reformën e thellë dhe të gjithanshme të sistemit arsimor, do të mbështesë moshën dixhitale. Infrastruktura tërësore e zonës bregdetare do të përfundojë brenda vitit 2010.
Ky është buxhet i një hovi të madh për vendin, i një starti të fuqishëm të këtij mandati për të përmbushur të gjitha vendimet që rrjedhin për ndërtimin e Shqipërisë evropiane. Buxheti ka nivelin e tij qendror dhe lokal. Qeveritë vendore e përgatisin buxhetin e tyre duke u bazuar në të ardhurat që realizojnë dhe në grantet që do të marrin. Ato do të kenë një rritje shumë të ndjeshme. Për herë të parë krijohen Fonde të Zhvillimit Rajonal, të cilat do të rrisin në mënyrë shumë të ndjeshme financimet për komunat, bashkitë dhe  qarqet. Qëllimi i tyre është zhvillimi i balancuar i qarqeve të vendit.
Zgjedhjet e 28 qershorit kanë sjellë një realitetit të ri qendror dhe lokal. Ato kanë sjellë një koalicion të ri, jo vetëm qendror, por edhe lokal. Në një sërë komunash dhe bashkish të vendit janë krijuar mazhoranca të reja si rezultat i koalicionit të Partisë Demokratike me  Lëvizjen Socialiste për Integrim. Por, cili është qëndrimi i Kryeministrit dhe maxhorancës? Qëllimi i Kryeministrit dhe i maxhorancës është që zgjedhja për krijimin e maxhorancat e reja të mos mendojmë se mund të përdoret për bllokimin e pushtetit vendor. Maxhorancën t’a përdorim për një shkallë shumë më të lartë përgjegjësie ndaj qytetarit,  për të mbushur sa më mirë kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, një thirrje imja, po kaq miqësore, ndaj kryetarëve të bashkive dhe të komunave që kanë rënë në minorancë, është të kuptojnë se buxheti duhet të vendoset mbi bazën e një dialogu dhe kompromisi, mbi bazën e qeverisjes vendore, sepse ky është një rregull i demokracisë botërore dhe nuk është vetëm i Shqipërisë. Është në interesin e tyre më të mirë që  të ulen dhe të negociojnë për buxhetin që do të kalojnë në parlamentet vendore, të gjejnë kompromiset e mundshme dhe të vazhdojnë të qeverisin.
Natyrisht, duhet të mbajnë parasysh se në ligjin themelor të çdo vendi dhe të çdo qeverie të lirë dhe demokratike, të qeverive vendore, është parlamenti autoriteti që miraton buxhetin. Është parlamenti i vendit dhe parlamentet vendore që kanë të drejtë të rihartojnë sipas vullnetit të tyre. Unë kam besim të plotë se këshillat e parlamenteve vendore, shumicat aktuale të krijuara në bashki dhe komuna të ndryshme, do ta përdorin pushtetin në shkallën më të lartë të përgjigjeve dhe në sensin e kompromisit. Unë kam besim se kryetarët e bashkive dhe të komunave do të dëshmojnë të njëjtin vullnet, në mënyrë që viti që vjen të jetë viti më i suksesshëm i buxhetit në të gjitha nivelet, pavarësisht nga ndryshimet e rëndësishme.
Dy ditë më parë po ndiqja përmes ekranit të televizionit një takim të kryetarit të opozitës. Me nervozizëm ai nxori njerëz jashtë nga salla. I them se kjo nuk është praktikë produktive. Vërtetë ti përdor pushtetin për të nxjerrë këtë apo atë nga salla, por e vërteta është se në opinionin publik ndodh e kundërta. Kur e përdor dhunshëm pushtetin, je ti që del nga salla, prandaj rri i qetë. U tha qytetarëve të Orikumit se Berisha  nuk ka mbajtur premtimin. E garantoj zotin Rama se Berisha do të mbajë çdo premtim. Kjo nuk ka diskutim. Atë premtim që kam bërë për tokat e fermave, atë e kam dekretuar dhe, në radhë të parë, i dal zot vetes time. Unë si President i Republikës bëra dekretin, e kam bërë me vetëdijen më të plotë,  dhe bëra ligjin. Ndodhi një manovër parlamentare e zakonshme që ma dështoi, por kjo shumicë do ta kalonte atë ligj. Ai premtim nuk është bërë vetëm në Orikum, është bërë në Ksamil dhe në shumë vende të tjera dhe do të mbahet. Ai nga njëra anë u kujton premtimin tim dhe nga ana tjetër i nxjerr jashtë. Të mos nxjerrë njerëz nga salla. Ato çfarë kam premtuar, unë do t’i zbatoj. Sot mora vendim për të zbatuar edhe një premtim tëndin, siç ishte Echo-ja për nënat shtatzëna.




...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›