Berisha: Buxheti shtesë bëri të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve
Kryeministri Sali Berisha e cilësoi miratimin e buxhetit shtesë prej 270 milionë dollarësh si një arritje që bëri të mundur që qeveria të rriste pagat, pensionet si dhe investimet publike. Gjatë fjalës në Kuvend, ai tha se ky buxhet do të ndikojë pozitivisht në rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke e bërë atë me të kamur. “Ky buxhet e ka bërë Shqipërinë më humane, e ka bërë më të njerëzishme e ka bërë më të kamur, më shpresëdhënëse, më optimiste, kjo është vlera e madhe morale dhe jo vetëm materiale e tij. Ky buxhet bëri të mundur t’u faktojë pensionistëve shqiptarë se ne jemi të vendosur me seriozitetin më të madh të lehtësojmë dhimbjet e tuaja, se qeveria që unë kryesoj mban pikë për pikë fjalën e dhënë. Ky buxhet bëri të mundur që sot mësuesit e fëmijëve tanë të marrin 76 % më shumë se ç’merrnim tre vjet më parë, të shpëtojmë një korpus jetik për vendin”, - tha Berisha. Në fjalën e tij në Kuvend, kreu i qeverisë shtoi se buxheti shtesë bëri të mundur realizimin dhe mbetjen e reformave dhe shtesave sociale. “Buxheti është një ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Natyrisht është sukses i qeverisë, por me një rezonim të fuqishëm në mbarë shoqërinë shqiptare, është ky buxhet që bëri të mundur rritjen e pensioneve dhe rrogave, pensionistëve dhe punonjësve të sektorit publik shqiptar, rritje e cila për fondet e angazhuara është më e madhja në tërë historinë e vendit, rritje e cila ishte jetike për t’i dhënë përgjigje rritjes së caktuar të çmimeve, rritje e cila ka tejkaluar mesatarisht katër deri në pesë indeksin e rritjes së çmimeve”, - tha në fjalën e tij në Kuvend Berisha.