E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton Buxhetin Shtesë prej 270 milionë dollarësh



Debate në Kuvend për fondet shtesë të Buxhetit

Opozita voton kundër, Berisha:Ky buxhet rriti pagat

Kuvendi i Shqipëri ka miratuar ditën e djeshme me shumicë votash Buxhetin Shtesë prej 270 milionë dollarësh të cilat do të shkojnë për rritje pagash, investime publike si dhe për mbështetjen e Pushtetit Lokal. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kryeministri Berisha e cilësoi këtë buxhet, si tepër të nevojshme që u realizua falë miradministrimit. Sipas kreut të qeverisë, fondi prej 270 milionë dollarësh, ka bërë të mundur që të rriten pagat dhe pensionet në mënyrë të ndjeshme, si dhe të shtohen investimet në infrastrukturë. “Ky buxhet bëri të mundur tu faktojë pensionistëve shqiptarë se ne jemi të vendosur me seriozitetin më të madh të lehtësojmë dhimbjet e tuaja, se qeveria që unë kryesoj mban pikë për pikë fjalën e dhënë”, tha Berisha. Ministri i Financave Ridvan Bode tha se Buxheti Shtesë ka ardhur si rezultat i rritjes të së ardhurave nga lufta kundër evazionit fiskal dhe miradministrimit. “Ekonomia shqiptare përgjatë 6-mujorit te I-re të vitit në vazhdim ka patur një ecuri pozitive dhe me progres të admirueshëm. Rritja ekonomike e tremujorit të parë vlerësohet të jetë dyshifrore krahasuar me tremujorin e parë 2007 dhe pritet që të vijojë të mbetet më e larta e viteve të fundit dhe krahasuar me vendet e rajonit”, tha Bode. Opozita, ashtu siç pritej, ka votuar kundër Buxhetin Shtesë. Sipas deputetëve të opozitës, kjo shtesë është një korrigjim fondesh dhe jo shtesë. Në fund të diskutimeve, deputetët e opozitës braktisën seancën.

Fondet shtesë

Në buxhetin shtesë prej 270 milionë dollarësh nuk përfshihen të ardhurat e ARMO-s dhe privatizimeve të tjera, por vetëm të ardhurat e krijuara si rezultat i disiplinës financiare. Projektligji mbi këtë buxhet shtesë paraqet të ardhurat dhe shpenzimet si për buxhetin qendror dhe atë lokal, ashtu dhe për të ardhurat nga zërat e tjerë. Të ardhurat 303.783 milionë lekë, shpenzimet 360.207 milionë lekë dhe deficiti 56.424 milionë lekë. Të ardhurat nga fondi i konsoliduar janë 237.142 milionë lekë, shpenzimet 293.566 milionë lekë. Për buxhetin e pushtetit vendor, të ardhurat janë 31.646 milionë lekë, nga të cilat granti i pakushtëzuar nga buxheti qendror 16.064 milionë lekë. Fondi i kontigjencës, i cili përdoret për rritje pagash dhe pensionesh, do të jetë prej 2 miliardë lekësh në 6-mujorin e dytë të vitit 2008. Në buxhet janë parashikuar edhe fonde kontigjencë për paga dhe pensione. “Ne kemi pasur kontigjenca në fillim të vitit dhe ju e dini shumë mirë që kontigjencat kanë qenë sa 1.5% e PBB–së dhe këtë shumë prej 6 miliardë lekësh që ne kemi përdorur tashmë me ndryshimin që bëmë me aktin normativ, e kemi përdorur për rritje pagash e pensionesh dhe 1 miliard për të rritur asistencën. Pra, tashmë është shpërndarë si fond”, - ka thënë Bode. Sipas të dhënave, realizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve për pjesën e parë të këtij viti arriti në rreth 135 miliardë lekë nga 130.9 lekë të parashikuara, duke u realizuar në masën 103.17 për qind. Shpenzimet e përgjithshme të shtetit në fund të qershorit arritën në rreth 137.3 miliardë lekë nga rreth 148.9 miliardë lekë të parashikuara, ose me një realizim 92.3 për qind.

Shifrat e buxhetit shtesë

Të ardhurat 303.783 milionë lekë

Shpenzimet 360.207 milionë lekë

Deficiti 56.424 milionë lekë.

Të ardhurat nga fondi i konsoliduar 237.142 milionë lekë

Shpenzimet 293.566 milionë lekë.

Për buxhetin e pushtetit vendor, të ardhurat janë 31.646 milionë lekë, nga të cilat, granti i pakushtëzuar nga buxheti qendror, 16.064 milionë lekë.

Fondi i kontigjencës 2.000 milionë lekësh

Buxheti i sigurimeve shoqërore, për vitin 2008

Të ardhurat 63.360 milionë lekë

Kontributet 45.650 milionë lekë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›