Opozita voton kundër Buxhetit:Është vetëm korrigjim fondesh
Ashtu siç ishte paralajmëruar paraditen e djeshme, opozita votoi kundër Buxhetit Shtesë. Deputetët e opozitës i kanë adresuar pyetje kryeministrit Berisha në lidhje me shpërndarjen e fondeve. Ata e kanë vlerësuar Buxhetin Shtesë si një rikorigjim të Buxhetit të Shtetit të miratuar në vitin 2007, por që kjo gjë u kundërshtua nga Berisha. Kreu i qeverisë tha se këto fonde kanë garantuar zbatimin e disa prioriteteve si rritja pagave apo rritja e investimeve. Deputeti i PS-së Pandeli Majko tha në fjalën e tij se Buxheti Shtesë është një rialokim fondesh. Ai kërkoi pse nuk ka fonde shtesë për shëndetësinë. Deputetët e tjerë kërkon fonde shtesë në Bujqësi. Ministri Gjana tha se Buxheti Shtesë përmban disa investime tepër të domosdoshme për bujqësinë. Pavarësisht debateve, opozita votoi në bllok kundër Buxhetit Shtesë. “Ky buxhet nuk ka asgjë të re për sa i takon përmirësimit të cilësisë së jetës së njerëzve dhe natyrisht e gjithë zhurma që i parapriu buxhetit me gojën e Kryeministrit, ishte demagogji. Vota jonë do të jetë kundër dhe do të përgjigjemi në seancë, kundër tij” duke e argumentuar me fjalët, se “në këtë të ashtuquajtur buxhet suplementar, nuk ka asgjë për sa i takon politikave sociale, nuk ka asgjë për gjithë sektorët prioritarë”, tha kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së Valentina Leskaj.