Bode:Sa rriten pagat dhe pensionet me Buxhetin Shtesë
Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi ditën e djeshme në Kuvend se Buxheti Shtesë do të marrë në mbrojtje të gjitha shtesat në nevojë. Ai tha se rritja e pagave dhe pensioneve tashmë është e garantuar. “Buxheti suplementar 2008 synon marrjen në mbrojtje të nivelit të mirëqenies për të gjitha kategorive shoqërore të lidhura me administratën publike dhe që përfitojnë nga skemat e mbrojtjes shoqërore, nga presionet inflacioniste të tregut ndërkombëtar për mallrat ushqimorë, përmes kompensimit dhe rritjes reale të pagave, pensioneve, rritjes me ritme më të larta të shpenzimeve në sektorët sociale e të përkrahjes shoqërore. Rritja me 14% e pagave të punonjësve të arsimit, 18% të sektorit të shëndetësisë, mesatarisht 10% punonjësit e tjerë të administratës publike, 15% pensionet e fshatit, 10% pensionet e qytetit dhe me 10% të gjithë përfituesve të tjerë nga skema e mbrojtjes shoqërore, përballë një inflacioni mesatar vjetor prej më pak se 4%, përbën një kontribut të vlefshëm të buxhetit 2008 në realizimin e programit të qeverisë në fushën e rritjes së pagave e pensioneve dhe në marrjen në mbrojtje të mirëqenies së përgjithshme shoqërore”, tha Bode. Ministri foli edhe për fondet që do të përfitojnë investimet apo Pushteti Lokal. “Buxheti suplementar 2008 vijon fuqizimin e mbështetjes ndaj komuniteteve lokale, fshatit e bujqësisë. Do të jenë 2 miliard lekë shtesë në grantet e pushtetit lokal për infrastrukturën rrugore dhe 500 milion të tjera për ujësjellës, arsim e shëndetësi që alokohen në buxhetin suplementar. Vlera e granteve të ofruara nga qeveria qendrore për pushtetin lokal arrin në 21 miliard lekë nga 7 miliard në vitin 2005”, tha numri një i financave.