Berisha-D'Elia:Italia do vazhdojë investimet në Shqipëri
Italia ka mbështetur dhe do të mbeshtesë Shqipërinë në integrimin euroatlantik. Premtimi është dhënë edhe një herë nga ambasadori italian Saba D'Elia i cili theksoi mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, e cila do të afirmohet në 4 prill me anëtarësimin e vendit në NATO. Duke u ndalur në nivelin e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, ambasadori italian tha se Italia zë 34 për qind të këtyre shkëmbimeve.Deklarata është bërë gjatë inaugurimit të fillimit të punimeve për fabrikën e re të çimentos, në Balldren të Lezhës.Në fjalën e tij, kryeministri Berisha tha se ky investim është dëshmi e një marrëdhënieje intensive me Italinë mike, dëshmi e një besimi të madh të sipërmarrësve italianë dhe atyre botëror ndaj Shqipërisë, së pari, për përpjekjet e jashtëzakonshme që qeveria ka bërë për krijimin e klimës sa më të favorshme për biznesin. Berisha tha se Shqipëria, tani dhe në vitet që vijnë, do të jetë kantieri më i fuqishëm i ndërtimeve në Ballkan. "Në këtë vend është një rrjet rrugor i tëri për t'u rindërtuar, janë mbi 400 diga, hidrocentrale të reja për t'u ndërtuar, janë pothuajse qindra kilometra tunele, tashmë jo të kuptimit të vjetër, por tunele për të çarë malet dhe shkurtuar distancat, tunele për të rritur fuqinë energjetike të ujërave tona. Janë me mijëra e mijëra platforma të turbinave të erës, për t'u ndërtuar në kodrat e Balldrenit dhe mbarë vendit", nënvizoi kryeministri.