Zgjedhjet, Gramoz Rucit i drejtohet kryeministrit: Sali Berisha, mos luaj me zjarrin

Tiranë, 30 mars 13:57 NOA – Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste (PS), Gramoz Ruçi, paralajmëroi sot kryeministrin Sali Berisha që të “mos luajë me zgjedhjet, por të garantojë të drejtën e votës për të gjithë”.
Gramor Ruçi doli në një konferencë për mediat sot në mesditë, ku shprehu konstatimin e PS se se zgjedhjet e 28 Qershorit rrezikohen seriozisht.
“Ato rrezikohen seriozisht si rezultat i mungesës së vullnetit politik të mazhorancës aktuale dhe lidershipit Sali Berisha, me synimin e vetëm, manipulimin e rezultatit të 28 Qershorit”, - deklaroi Ruçi.
Sipas tij, zgjedhjet janë në rrezik, sepse sistemi i aplikimit për letërnjoftimet elektronike për shtetasit shqiptar është një çorganizim i organizuar nga qeveria aktuale.
“Duhet të ishin hapur prej kohësh në të gjithë territorin e Shqipërisë 331 qendra aplikimi, ndërkohë që janë hapur vetëm 143 të tilla, ose me pak fjalë, janë hapur në 40 % të territorit, kurse në 60 % të territorit jo”, - evidentoi Ruçi me gjuhën e shifrave.
Pasi përmendi dhe një sërë problemesh të tjera që PS tha se evidenton si rrezik potent për zgjedhjet, Ruçi u drejtua me një kërkesë për Sali Berishën:
“Të mos bëjë shurdhin dhe as memecin, por të dëgjojë zërin këmbëngulës të opozitës, për të mos shkelur të drejtën e shenjtë për të votuar dhe të heqë një herë e përgjithmonë nga mendja e tij, shpresën për të manipuluar zgjedhjet e 28 Qershorit”
Në këtë pikë, Ruçi iu drejtua edhe një herë kryeministrit: “Sali Berisha mos luaj me zjarrin! Partia Socialiste është pikërisht për zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe do të jetë në krye të barrikadës për realizimin me sukses të këtyre zgjedhjeve”.
e.l/NOA