Berisha: Dakord me ODIHR, numërimi elektronik ka probleme. Rama do që kreun e KQZ ta propozojë Avokati i Popullit
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar në mbledhjen e grupit parlamentar të PD edhe problemin e reformës zgjedhore, që duket se ka ngecur pas faktit se ODIHR ka anuluar një marrëveshje të arritur për numërimin elektronik dhe identifikimin e votuesve.
Berisha, entuziasti i dikurshëm për numërimin elektronik, ka thënë se përkrah propozimin e ODIHR për të mos lejuar këtë numërim. Kërkuan 8 vite burg dhe instalimin e teknologjive, të cilat ata që ishin aty i linin me tespi se i përjashtonin të gjithë nga procesi. Na doli që në Londër, në kryeqytetin e teknologjisë dhe financave, dhe me një klimë më të freskët se Shqipëria, doli që numërimi pati probleme serioze. Dy probleme: mbingarkesë dhe bllokim i makinave dhe ndërprerje e energjisë elektrike. Por londinezët janë londinezë, ata e kapërcyen, por në Shqipëri nuk kapërcehet dot. Unë ia kisha bërë të qartë ekipit tonë, u kisha thënë ta pranonin, por ODIHR do siguri maksimale në zgjedhje, o mosaplikimin e metodave të përjashtimit, tha Berisha.
Ndërsa duke folur për identifikimin e votuesve, Berisha tha se qendrat e votimit do ktheheshin në pika kufitare.
Por shpërthimin më të madh Berisha e pati në lidhje me atë që e quajti propozim të opozitës për propozimin e kryetarit të KQZ nga Avokati i Popullit. Berisha tha se po deligjitimohet mazhoranca.
Cfarë na del tjetër? Në një vendim të drejtë vendosëm që Avokatin e Popullit ta propozojë opozita. Kemi vepruar shumë drejt. Mirëpo zoti Rama thotë se kandidaturat për kryetar KQZ-je ti propozojë Avokati i popullit, të cilin e zgjodhi me një konkurs 15 ditor ne selinë e tij. Kjo është qesharake. Kërkojnë me çdo kusht të delegjitimojnë shumicën. Atë që kemi hequr bashkërisht ne, ta propozojë presidenti. Absolutisht asnjëra, as tjetra nuk do të pranohen. Së pari Avokati i Popullit është avokat i të drejtave të qytetarëve, jo që të politizojë KQZ-në, tha Berisha, që shtoi se Rama e bllokon reformën zgjedhore sa herë Brukseli do të diskutojë për Shqipërinë.
Më 11 prill isha në Bruksel. Po pija kafe. Atë ditë ai bllokoi të gjithë reformën. Ndodhi kur do flisnin ministrat e jashtëm dhe pati frikë se mos thuhet një fjalë e mirë për Shqipërinë. U votua në darkë sapo u mbyll mbledhja. Nesër është Këshilli i Integrimit në Bruksel, dje nxori kryetarin e KQZ nga Avokati i Popullit vetëm që nesër të mos mund të thuhet se u kompletua reforma zgjedhore. Pra blloku është operativ në tërë praktikën dhe psikologjinë e vet. Kjo ëshët psikologjia e neobllokmenëve. E përdorin për të bllokuar vendin. Është hequr nga zemra e Tiranës tani është transferuar në selinë e PS me të gjithë dhelpëritë dhe bizantinizmat e veta, tha Berisha.