E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: ”Dakord me Ramën që të shembet muri i imunitetit”

Kryeministri shprehet se ka konsensus me kryesocialistin për heqjen e imunitetit. Nisma për kufizimin ende jo e qartë, ndryshim në Kushtetutë, ose projektligj

Erald Kapri

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, për herë të parë që nga fillimi i pluralizmit në vitin 1991, do të ndihen si njerëz të thjeshtë, pa imunitetin ligjor që i garanton Kushtetuta, lidhur me probleme që kanë të bëjnë me korrupsionin. Ndonëse nisma e parë e Partisë Demokratike, nëpërmjet një projektligji për të kufizuar imunitetin e deputetëve dështoi, nisma e dytë duket se do të kalojë me konsensus të plotë. Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së, tha se ka një mirëkuptim me liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Ndonëse kryetari i PS-së, Rama, nuk është shprehur ende direkt për këtë çështje, daljet e tij publike, ku ka dënuar aktet e korrupsionit, e kanë bindur Berishën se Rama është dakord që imuniteti të kufizohet. Kjo nismë është në fillimet e veta për shkak se ende nuk është bërë e ditur mënyra e ndërhyrjes, me projektligj ose në formë amendimi kushtetues, si dhe sa do të reduktohet ose hiqet imunitetit i deputetëve. Një tjetër çështje ku kërkon vëmendje do të jetë edhe imuniteti i zyrtarëve të lartë në shtet, si prokurorët apo gjykatësit, të cilët politika i ka kërkuar të jenë të zhveshur nga mbrojtja ligjore.
Deklarata
Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar të PD-së ka shërbyer që kryeministri Berisha të shprehë bindjen e tij për heqjen e imunitetit. “Siç e keni marrë vesh në dy deklarata publike nga ana ime dhe e zotit Rama, është rënë dakord që të shembet muri i imunitetit. Mendoj se kjo përbën njërin nga zhvillimet më madhore dhe më të rëndësishme të 17 viteve të fundit dhe ndoshta pas ujdisë për sistemin e ri elektoral ky konsensus përbën të dytin zhvillim më madhor në reformat e këtij vendi dhe e konsideroj këtë dëshmi të një maturimi real të sistemit tonë demokratik”, - u shpreh Berisha. Heqjen e imunitetit Berisha e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm politik si dhe në përmirësimin e imazhit të vendit dhe rritjen e efikasitetit ndaj luftës kundër korrupsionit. “Me këtë reformë jo vetëm vendosim barazinë para ligjit, por me këtë reformë realisht ne heqim një pengesë të tmerrshme që qëndronte para Gjyqësorit shqiptar për të mbushur misionin dhe funksionin e tij, sikurse edhe vetë ata zhvishen nga imuniteti për të cilin ata nuk kanë nevojë”, - tha Berisha. Kryeministri u shpreh se kjo reformë mund të bëhej edhe me këmbëngulje nga maxhoranca në Kuvend, që sipas Berishës mund të gjendeshin 84 vota për miratimin e saj, por konsensusi për këtë çështje është parë i domosdoshëm edhe pas reagimit të Komisionit të Venecias që kërkoi të njëjtën gjë.
Reagimet
Java e kaluar ka qenë e ngarkuar në ligjërimin e politikanëve kryesorë të vendit, ku përmendej fjala “imunitet”. Kërkesa për heqjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, sondazhi i USAID-it dhe IRDAS-it për korrupsionin në Shqipëri, si dhe reagimi i ambasadorit amerikan Uithers për këtë çështje, bëri që axhenda politike ta vendosë të parën në diskutime politike kufizimin e imunitetit. Pak ditë më parë ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uithers, u shpreh se korrupsioni në Shqipëri është ende shqetësues dhe politika duhet të heqë dorë nga mbrojtja ligjore e imunitetit. Një hap i rëndësishëm i drejtpërdrejtë që mund të ndërmerret është ndryshimi i ligjit për imunitetin, i cili i mbron zyrtarët e lartë në gjykata, në parlament dhe në poste të tjera nga procedimi”, - tha Uithers. Tashmë pritet që një përfaqësi nga PD-ja dhe PS-ja të bisedojnë më gjerë në lidhje me mënyrën dhe formën e kufizimit të imunitetit.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›