E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polemikat mes Cekës dhe Mustafajt vënë në dyshim moralin e PD-së



Parlamenti pritet që të diskutojë këtë muaj projektrezolutën për dënimin e krimeve ndaj komunizmit, e kërkuar me ngulm nga Partia Demokratike, por përsëri brenda kësaj force politike deputetë të saj nuk ndahen lehtë nga e kaluara. Debati i djeshëm në seancën plenare mes deputetëve Mustafaj dhe Ceka bëri që deputetët e PD-së të heshtin, por ata preferuan që të respektojnë vendimin e kryetares Topalli për të mbyllur seancën plenare. Deputeti aleancist, Neritan Ceka, ka iniciuar një projektligj në Kuvend, i cili kërkon që të njihet e drejta e autorit për trashëgimtarëve që nga vitet 1968 e deri në vitin 1991, vite të cilat diktatura nuk i njohu këto të drejta. Projektligji i iniciuar nga Ceka ka kërkuar që në pronësinë intelektuale që vazhdon deri në 70 vite pas vdekjes së autorit, këto vite të zbriten nga periudha 70-vjeçare, pasi e drejta e autorit nuk u respektua gjatë atyre viteve. Ky projektligj shkoi ditën e djeshme në Kuvend për t’u miratuar, por hasi në një qëndresë nga deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj. Ish-ministri i Jashtëm tha se ky projektligj është absurd për shkak se lidhet me interesat personale të Cekës, pasi ai ka një lidhje me autorin shqiptar, Migjeni. Njëkohësisht Mustafaj argumentoi se ky ligj është i dëmshëm sepse do të pengohen ribotimet e autorëve të mëdhenj shqiptarë, pasi familjarët do të kërkojnë përfitimet përkatëse, ndërkohë që pjesa më e madhe e trashëgimtarëve të autorëve të mëdhenj, si Fishta, Migjeni etj., nuk ekzistojnë. Kjo logjikë e deputetit Mustafaj është cilësuar si e padrejtë nga deputeti Ceka, i cili ka argumentuar se këto të drejta janë përdhosur gjatë periudhës komuniste. Ai e cilësoi si të ligjshme dhe morale këtë projektligj dhe njëkohësisht përmendi se ka trashëgimtarë të gjallë si të Lasgush Poradecit, Kutelit etj. Ky debat esencial mes Cekës dhe Mustafajt ka vendosur në pozitë deputetët e djathtë, ndërkohë që të majtët nuk ndërhynë fare. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, priti reagimin e deputetëve, por nuk ndodhi dhe i kërkoi urgjent ministrit të linjës, Ylli Pango, të mbajë një qëndrim. Pango u shpreh se ndodhet në dilemë, pasi ai e cilësonte si të drejtë konstatimin e deputetit Mustafaj që këto vepra do të kenë probleme në ribotim, por e cilësoi edhe si të drejtë projektligjin e iniciuar nga deputeti Ceka. “Asnjë vend ish-komunist nuk e ka bërë më parë këtë gjë, por unë i vlerësoj të dyja mendimet. Gjithsesi, do të jem pro mendimit të deputetit Ceka”, - tha papritur Pango. Menjëherë pas deklaratës së Pangos, Kuvendi u përfshi në një qetësi, ku deputetët e PD-së po shikonin njëri-tjetrin në sy dhe nuk preferuan që të mbajnë një qëndrim. Mes kësaj paqartësie Topalli e ngrohu situatën duke i thënë ministrit Pango se edhe më përpara në sistemin komunist të drejtat e autorit nuk janë njohur, por që çuditërisht kryetarja e Kuvendit e ktheu projektligjin mbrapsht, duke kërkuar rishqyrtimin e tij. Ceka i revoltuar u shpreh se Komisioni i Ligjeve e ka miratuar këtë projektligj dhe ky kthim nuk ka kuptim. Kryetarja Topalli u shpreh në këtë kohë se do të diskutohet edhe njëherë në seancën e ardhshme, gjë që deputeti Ceka përsëri nuk e pranoi.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›