E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Dekretet e Topit do marrin përgjigje në Kuvend

Mazhoranca paralajmëron rrëzimin me votë të dekreteve të Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë përmes argumenteve, që do përdoren në Kuvend brenda javës. Grupi parlamentar demokrat vendos të fusë në rendin e ditës shqyrtimin e dekreteve, por nëse Presidenti nuk pranon dialog, emrat do të rrëzohen. Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, që Komisioni i Ligjeve të nisë shqyrtimin e emrave të paraqitur nga z. Topi, por pa u tërhequr nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që parashikon konsultime mes Parlamentit dhe Presidencës. Në këtë mënyrë, PD nuk është tërhequr nga kërkesa për ndryshimin e emrave, duke u justifikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon konsultim mes institucionit të Kuvendit dhe Presidentit. Shqyrtimi në Komisionin e Ligjeve do të zbardhë dhe argumentet, me të cilët demokratët do të kundërshtojnë dekretet e Topit. Kryeministri Berisha u bëri dje të ditur deputetëve demokratë pikërisht futjen e dekreteve në rend të ditës së komisionit. Burime brenda mbledhjes së grupit kuvendor të PD-së bëjnë të ditur se Kryeministri ka kërkuar kujdes gjatë shqyrtimit të kandidatëve të Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por gjithnjë duke marrë për bazë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo nënkupton qartë se mazhoranca mund t’i rrëzojë me votë që në Komisionin e Ligjeve dekretet e Presidentit, nëse nuk merret për bazë vendimi i Kushtetueses, që ka të bëjë me bashkërendim mes institucioneve të Parlamentit dhe atij të Presidencës për zgjedhjen e emrave. Berisha citohet të jetë shprehur: “Ne nuk do të tërhiqemi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo është në zbatim të ligjit”. Sipas tij, një gjë e tillë duhet pasur kujdes edhe gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, që do të marrë në shqyrtim këta emra. Gjithsesi, pritet mbledhja e Komisionit parlamentar të Ligjeve, që të zbardhë dhe qëndrimin zyrtar të demokratëve lidhur me rrëzimin me votë të dekreteve, gjë që do e detyronte kryetarin e shtetit të propozonte kandidatura të tjera për Gjykatën e Lartë. Që nga momenti i dorëzimit të dekreteve në Kuvend nga z. Topi, PD-ja kundërshtoi mënyrën e përzgjedhjes së emrave, për faktin se u shmang institucioni i Parlamentit nga konsultimet siç e parashikon ligji. Përveç kësaj, demokratët konstatuan dhe disa nga emrat e dekretuar nga Presidenti, për faktin se sipas tyre, ata kishin qenë persekutorë me vendimet që kishin dhënë gjatë kohës së diktaturës. Në kushte të tilla, mazhoranca pezulloi futjen në rendin e ditës të dekreteve teksa propozoi dialog me kryetarin e shtetit për ndryshimin e emrave të paraqitur prej tij. PD-ja caktoi dhe grupin negociator për konsultime me z. Topi, ku po në të njëjtën ditë, ai zhvilloi takime edhe me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Xhon Uithers dhe ambasadorin e KE-së në Tiranë, Helmut Lohan. Mazhoranca parlamentare këmbëngul për shqyrtimin e emrave, të cilët duket se ditën e mërkurë kur dhe do të futen në axhendën e punës së Komisionit parlamentar të Ligjeve, do t’i kalojë në filtër një nga një të 5 kandidatët e paraqitura nga Presidenti Bamir Topi për anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë.

Oketa-Uithers: Shkatërrimi i municioneve, në kohë të shpejtë

Ministria e Mbrojtjes synon shkatërrimin e municionit të armëve në një kohë shumë të shpejtë. Këtë siguri i dha dje ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Uithers, gjatë një takimi që zhvilloi dje me të në selinë e Mbrojtjes shqiptare. Oketa i bëri të ditur diplomatit amerikan se "synojmë reduktimin e kohës për këtë proces kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët". Nga ana e tij, ambasadori Uithers u shpreh se "bashkëpunimi midis SHBA-së dhe Shqipërisë ka qenë dhe do të vazhdojë sërish të jetë i suksesshëm, ashtu si në të gjitha fushat e tjera, edhe në atë të Mbrojtjes dhe të reformimit të FA-së Shqiptare". Xhon Uithers prezantoi shefin e ri të Zyrës së Bashkëpunimit për Mbrojtjen, (ODC), nënkolonel Martin Perryman. Nënkolonel Perryman zëvendëson në këtë detyrë major Larry Harrison, i cili përfundoi misionin e tij në Shqipëri, bën të ditur një njoftim zyrtar nga MM. Ministri Oketa, duke shprehur besim për bashkëpunimin në vazhdimësi me shefin e ri të ODC-së, foli për prioritetet e Forcave tona të Armatosura, që janë "anëtarësimi me të drejta të plota në NATO, vitin e ardhshëm, si dhe shkatërrimi i municioneve të tepërta në Shqipëri, në një kohë sa më të shkurtër". Oketa informoi se ndonëse për anëtarësimin e plotë në aleancë kemi përfunduar disa etapa bisedimesh, ne jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë, pasi FA, duhet që brenda vitit 2010 të shndërrohen në forca tërësisht profesioniste. Në këtë kuadër, ai "kërkoi dhe vlerësoi mbështetjen e SHBA-së në fushat e trajnimit të ushtarakëve, pasi rritja e kapaciteteve njerëzore përbën një nga hallkat kryesore të reformimit të Forcave të Armatosura Shqiptare".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›