Topi e Topalli thyejnë akullin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duket se ka thyer akullin mes institucionit të saj dhe Presidencës. Topalli inicioi ditën e djeshme dekorimin nga Presidenti Bamir Topi të kryetarit të Delegacionit Parlamentar Austriak të miqësisë Shqipëri-Austri, Volfgang Grossruck. Axhenda në fjalë ka shërbyer që dy krerët e institucioneve t’i japin miqësisht dorën njëri-tjetrit, duke lënë të nënkuptuar se institucionet janë të angazhuar për të përmbushur misionet e tyre, pavarësisht debatit për çështjen e 5 dekreteve për Gjykatën e Lartë. Ceremonia e dekorimit në Presidencë, e cila ka vazhduar për një kohë të gjatë, ka gjetur Presidentin Topi dhe kryetaren e Kuvendit, Topalli, në një situatë miqësore, nga ku kanë falënderuar së bashku Austrinë për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë gjithë historisë shtetit shqiptar. “Ju jemi mirënjohës, për ratifikimin e MSA-së Shqipëri-BE. Ne shpresojmë ta përmbyllim këtë fazë ratifikimi brenda këtij viti. Po ashtu, heqja e regjimit të vizave është shumë e rëndësishme për një vend si Shqipëria, që ka vuajtur gjysmë shekulli në izolim”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit. Pas dekorimit nga Presidenti Topi, parlamentari austriak, Grossruck, u shpreh i emocionuar për vlerësimin që i bënë krerët e shtetit. “Jam shumë krenar dhe shumë i nderuar sot për këtë nder të madh që po më bëhet dhe për këtë vlerësim. Jam vërtet një mik i Shqipërisë përgjatë 10 vjetëve të fundit. Gjatë kësaj periudhe kam vizituar Shqipërinë për rreth 30 herë. Dhe shpresoj që me përfshirjen time të ndihmoj sadopak në zhvillimin e këtij vendi”, - tha Grossruck. Në takim që parlamentari Grossruck pati me kryetaren Topalli, u shpreh se Austria do të mbështesë Shqipërinë në perspektivën e saj euroatlantike, si dhe liberalizimin sa më të shpejtë të vizave.