Kthimi i pronave bujqësore, rihapen 721 dosje në Durrës
KKKP-ja në Durrës ka nisur prej një jave rihapjen e dosjeve të pronave të komunave të qarkut të Durrësit. “Mbi 721 dosje kanë hyrë në proces shqyrtimi nga specialistët e KKP-së”, - deklaroi për gazetën “standard” drejtori Klodian Beja. Duket se është hapur drita jeshile edhe për ish-pronarët e tokave bujqësore ose tokave arë, të cilët prej vitesh kanë aplikuar, por që asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Durrës.
AKKP
Kjo agjenci ka ftuar të gjithë ish-pronarët e tokave arë që të paraqiten pranë sporteleve të saj për të rinisur procedurat e plotësimit të dosjeve me dokumente të freskëta për të mundësuar më pas kthimin apo kompensimin e tyre. Kur i kishin humbur të gjitha shpresat se një ditë do të merrnin tokat e tyre nëpër fshatra, Zyra Rajonale e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Durrës i ka bërë të ditur pronarëve të fshatit se ajo “ka vendosur që të shqyrtojë kërkesat për tokat bujqësore”.
Këto sipërfaqe të cilat bëjnë pjesë në kolonën “tokë arë”, asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e punës së komisioneve të mëparshme. Sipas kreut të kësaj zyre, Klodian Beja, “janë disa qindra dosje të grumbulluara ndër vite, të cilat asnjëherë nuk janë marrë në shqyrtim. Duke nisur nga dita e djeshme, për këta pronarë do të zbatohet ligji njëlloj sikurse zbatohet me pronarët e trojeve” në qytet dhe fshat”.
Dosjet
Janë 721 dosje të pluhurosura nga vitet, të cilat janë nxjerrë nga sirtarët dhe do të merren në shqyrtim nga ana e komisionit përkatës. Për këtë qëllim Zyra Rajonale e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka afishuar në mjediset e saj edhe listën me të 721 emrat aplikues ndër vite.
Tashmë, ata janë të detyruar që t’u nënshtrohen procedurave shtesë, sikurse e përmban edhe ligji i ri, në mënyrë që dosjet e tyre të plotësohen me dokumentet shtesë. Për këtë qëllim Beja shton: “Edhe pse në fillim të viteve ’90 këta pronarë kanë paraqitur dokumente të tilla, si: tapitë e vjetra, hartat kadastrale, vendimet e gjykatës e të tjera, një pjesë e këtyre dokumenteve duhen rifreskuar”.
Kërkesat
Kështu, kërkohen harta të reja, dokumentet e identitetit e të tjera, të cilat do t’u bëhen të ditur sapo të paraqiten nëpër sportelet tona”, - tha Beja. Gjatë viteve të shkuara, këto komisione kanë shqyrtuar vetëm kërkesat e ish-pronarëve për trojet nëpër fshatra si dhe pyjet e kullotat, duke lënë në harresë të plotë tokat arë.
Pronarët e tokave bujqësore e ndoqën problemin e tyre për disa vjet me radhë dhe kur panë se interesi i komisioneve ishte trajtimi vetëm i trojeve, hoqën dorë duke humbur shpresat se një ditë do t’i rimerrnin tokat e tyre. Kjo agjenci mbulon gjithë qarkun e Durrësit, në të cilin bëjnë pjesë rrethet e Durrësit dhe të Krujës.