E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Dëmshpërblimet, njësoj si në katër përmbytjet e para

Deklarata Kryeministri shkon edhe në Lezhë për të takuar nënën e re nga Velipoja, e cila lindi në mes të ujit

Kryeministri Sali Berisha ka siguruar se të gjithë shkodranët e prekur nga përmbytjet do të dëmshpërblehen në bazë të ligjit të digave. Mesditën e djeshme, nën drejtimin e kreut të qeverisë, është zhvilluar një takim me shtabin e emergjencave civile në Shkodër. Në këtë takim, Kryeministri i garantoi qytetarët e zonave të përmbytura, se sapo të bëhet e mundur përllogaritja e dëmeve ata do të zhdëmtohen tërësisht mbi ligjin e digave. “Mbi këtë bazë është bërë përllogaritja e një viti më parë dhe mbi këtë bazë bëhet edhe për këtë vit. Kjo bëhet mbi një procedurë vlerësimi dhe ne kërkojmë nga qytetarët që të kenë durim”, tha Kryeministri Berisha.

Më tej, ai falënderoi të gjitha strukturat shtetërore në operacionet e emergjencave, evakuimit dhe dërgimit të ndihmave në zonat e përmbytura. Berisha u shprehu se situata tashmë po përmirësohet. Tashmë mbi 3350 persona janë rikthyer në shtëpitë e tyre dhe harta e sipërfaqeve të tokës nën ujë ka nisur të ngushtohet.

Më tej, kreu i qeverisë është ndalur në investimet që do të bëhen në Shkodër. Sipas tij, janë miratuar 5 projekte ambicioze që janë fokusuar në sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, në sistemin e pompimit, në argjinatura, në ndërtimin e “baypass”-it, si dhe në thellimin e Bunës. Për këtë të fundit, Berisha ka deklaruar se është duke u konsultuar me ekspertët më të mirë nga vendet perëndimore, për të gjetur zgjidhjen sa më shpejt.

Kryeministri ishte dje edhe në Lezhë, ku me bashkëshorten Liri Berisha vizituan në spital 21-vjeçaren Violeta Marku, nga Velipoja, e cila mbrëmjen e së shtunës solli në jetë një djalë dhe ndodhet e shtruar në maternitetin e këtij qyteti. Berisha tha se gjatë evakuimit të nënës së fëmijës, ka pasur vështirësi në lëvizjen me varka dhe ekipi shoqërues është detyruar ta transportojë atë duke e bartur në krahë. Duke i uruar jetë të gjatë dhe të lumtur djalit të sapolindur të familjes Marku, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje dhe falënderoi ekipin mjekësor, i cili mesnatën e së shtunës dhe në një terren jashtëzakonisht të vështirë, ia doli të arrijë në këtë familje, të asistojë në lindje dhe të shpëtojë jetën e nënës e të foshnjës. Gjatë qëndrimit në spitalin e Lezhës, Berisha u shpreh: “Violetës dhe djalit të saj dua t’u uroj jetë të gjatë, shëndet, gëzime, të rritet i lumtur me prindërit dhe gjithë familjen e tij. Mirënjohje shumë të madhe dua t’i shpreh ekipit mjekësor, i cili në mesnatë, me varkë dhe në një terren jashtëzakonisht të vështirë, ia doli të arrijë në familjen e Violetës, të asistojë në lindjen e saj dhe të shpëtojë dy jetë, të nënës dhe të fëmijës. Kjo është një dhuratë e madhe që ky ekip, me sakrificën e tij, i bëri vendit dhe çdo qytetari. Në rast se Violeta nuk do të ndihmohej, do të ishte brengë jashtëzakonisht e madhe”.

Ai falënderoi të gjitha ekipet mjekësore të vendit dhe të kësaj zone, të cilët u janë përgjigjur urgjencave me përgjegjësinë më të madhe. Sipas Kryeministrit, urgjenca në këto zona deri më sot kanë funksionuar sikur ato të mos ishin të shndërruara në det, sikurse janë. “Po të hedhësh sytë nga Torovica drejt Bushatit të krijohet përshtypja se një valëzim deti ndalon te diga e Torovicës. Të tilla janë përmasat e kësaj përmbytje, por edhe përpjekja jonë për të shmangur pasoja fatale mbi jetën e njerëzve është e jashtëzakonshme. Kjo vjen e para, të tjerat i zgjidhim”, tha Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›