E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përshpejtohet tërheqja e ujit, KESH: Po ulim shkarkimet

Në 24 orë dolën nga harta e përmbytjes 300 hektarë

Harta e përmbytjes në Qarkun e Shkodrës po tkurret nga dita në ditë. Ndërprerja e reshjeve të shiut dhe ulja e theksuar e temperaturave ka ndikuar në përmirësimin e ndjeshëm të situatës në lagjet e qytetit.

Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Shkodrës njoftoi se gjatë ditës së djeshme janë rikthyer në banesat e tyre rreth 3550 persona, të cilët ishin evakuuar nga lagjet e qytetit dhe disa fshatra të Nënshkodrës.

Ndërkaq në qytet, pas largimit të ujit, në disa nga rrugët e lagjeve të përmbytura ka nisur pastrimi i tyre nga mbeturinat që ka sjellë përmbytja.

Megjithatë, ende ka prezencë të lartë uji në rrugën kryesore në hyrje të Shkodrës, pranë tregut të shumicës, ku kalimi mund të bëhet vetëm nga furgonët dhe kamionët, ndërsa për veturat është ende e vështirë të qarkullojnë.

Në shumë zona të Nënshkodrës, si Oboti, Daragjati, Shirqi, Trushi etj., ka ende prezencë të lartë uji, ndërkohë që shkarkimet nga hidrocentrali i Vau të Dejës kanë një tendencë rënieje nga dita në ditë.

Nga të dhënat e raportuara nga shtabi i emergjencave civile pranë prefekturës, mësohet se harta e përmbytjes në fshatrat e fushës së Nënshkodrës dhe sidomos në lagjet e qytetit sa vjen dhe ngushtohet. Kështu, nga 9440 hektarë që ishin nën ujë ditën e diel, dje kanë qenë 9100 hektarë.

Numri i shtëpive të përmbytura dhe atyre në prezencë uji gjatë ditës së djeshme ka pësuar rënie dhe është rritur numri i familjeve që janë rikthyer në banesat e tyre.

Lajme pozitive vijnë edhe nga autoritetet që mbikëqyrin kaskadën e lumit Drin. Sipas një njoftimi zyrtar të dhënë dje nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), situata në kaskadën e lumit Drin paraqitet e stabilizuar. Niveli i ujit dhe prurjet në liqene kanë pësuar rënie dhe bashkë me to janë reduktuar edhe shkarkimet.

Nga të dhënat zyrtare të KESH-it rezulton se niveli i ujit në digën e hidrocentralit të Fierzës ndodhet në kuotën 287.79 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë që shkarkimet nga portat janë 450 metra kub për sekondë. Niveli i ujit në digën e hidrocentralit të Komanit vlerësohet në 170.06 metra dhe shkarkimet 300 metra kub ujë në sekondë. Ndërkohë, kuota e Vaut të Dejës është 73.70 metra mbi nivelin e detit dhe shkarkimet 400 metra kub ujë në sekondë, rreth 83 metra kub ujë në sekondë më pak se të dielën.

Njoftohet se KESH-i vazhdon ta mbajë në nivele të larta prodhimin e energjisë elektrike. Hidrocentralet janë në punë me kapacitet të plotë dhe prej tyre prodhohen aktualisht mbi 28 milionë kilovat/orë energji në ditë, nga të cilat 11 milionë eksportohen në bazë të kontratave të lidhura me kompanitë këtë muaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›