E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dëmshpërblimi i të përndjekurve, kusht themelor për paqen sociale

Kryeministri Sali Berisha, kërkoi të martën, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, që të paraqitet sa më shpejt në qeveri projektligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve politike, duke vlerësuar se dëmshpërblimi i kësaj shtrese është një kusht themelor për paqen e vertetë sociale në vend.

Ai vlerësoi punën e bërë nga zv/kryeministri Ilir Rusmali për këtë çështje, ndërsa theksoi se edhe shoqatat e të përndjekurve kanë bërë propozimet e tyre. Kryeministri vuri në dukje se në fakt ligji ekziston, por kjo shtresë shoqërore është diskriminuar. "Kodi penal i Shqipërisë përcakton qartë dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga shteti, mirëpo ky nuk është zbatuar dhe ky kod duhet të zbatohet teresisht, ndaj dhe duhet paraqitja sa më shpejt e këtij ligji", vijoi z. Berisha. Ai tha se qeveria krijoi fondin në buxhet për dëmshpërblimin e tyre. Ky fond ka një shumë modeste, por ai do të rritet. Duke vlerwsuar edhe konsultat me shoqatat dhe të përndjekurit, z. Berisha tha se ata kanë dëshmuar një arsyetim të shëndoshë në kërkesat e tyre, kanë pranuar shtrirjen e këtij procesi, gjë që eshtë e domosdoshme. "Një gjë duhet ta kemi të qartë se pa dëmshpërblimin e shekujve e shekujve vite burgjesh, rini të tretura në kampe përqëndrimi, jetësh të rëna për vlera universale të njeriut, shoqëria shqiptare nuk bëhet e drejtë", u shpreh kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›