E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Sali Berisha në Konferencën për shpalljen e Masterplanit të Arsimit të Lartë

- Fjala e Kryeministrit Sali Berisha, mbajtur të mërkurën, në Konferencën për shpalljen e Masterplanit të Arsimit të Lartë, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Këshillin e Evropës

"Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar personalitete të Trupit Diplomatik, të Këshillit të Evropës,
Të nderuar rektorë dhe akademikë,
Z. Ministër,

Është kënaqësi e veçantë për mua të përshëndes këtë Konferencë dhe të falenderoj përzemërsisht Këshillin e Evropës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për gatishmërinë që kanë shfaqur për bashkëpunimin në fushën e reformës së arsimit të lartë.

Zhvillimi i shpejtë dhe modernizimi i arsimit të lartë përbëjnë një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë që unë kryesoj. Rritja e shpejtë e nivelit të arsimimit është rruga kryesore për ne, për punësimin, rritjen e mirëqenies, thellimin e demokracisë dhe konsolidimin e saj në Shqipëri.

Kjo reformë është jetike dhe duhet të përfshijë të gjitha aspektet e arsimit të lartë. Bazuar në realitetin aktual, ku numri i të rinjve që ndjekin shkollat e larta për frymë është mjaft më i ulët sesa mesatarja e vendeve në BE, ne synojmë të rrisim ndjeshëm numrin e të rinjve që vijojnë dhe përfundojnë arsimin e lartë, në këtë mënyrë, mendoj se do t'i paraprijë zhvillimit të Shqipërisë dhe ekonomisë shqiptare të mbështetur në dije. Prandaj dhe pas 3 korrikut qeveria shpalli si objektiv liberalizimin e pranimeve të studentëve në universitet, i shoqëruar ky objektiv me rritjen e cilësisë, që aktualisht përbën një problem kryesor shqetësues për të gjithë sistemin arsimor.

Ne synojmë një reformë të thellë demokratike të arsimit të lartë dhe shkencës. Shpallja e objektivave të masterplanit është një moment shumë i rëndësishëm, madje mund të them historik, për sistemin e arsimit të lartë shqiptar, sepse për herë të parë ndërmerret një reformë kaq e thellë dhe shumëplanëshe në këtë sistem.

Unë ju ftoj, të nderuar pedagogë, akademikë, profesorë dhe studentë, ta ndërmarrim me optimizëm këtë reformë. Le të detajojnë sa më shpejt objektivat e këtij masterplani, në mënyrë që të fillojmë sa më shpejt me zbatimin e tij. Unë jam i sigurtë se shqiptarët e presin prej kohësh me padurim një ndryshim rrënjësor në arsimin e lartë. Vetëm atëherë, kur arsimi ynë i lartë do të reformohet dhe modernizohet, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë nuk do të marrin rrugët e botës për të kryer ciklin e plotë të studimeve universitare, çka u kushton atyre dhe familjeve të tyre shuma të shtrenjta. Po të investohej ky kapital kaq i madh këtu brenda vendit, ai do të përbënte një mbështetje shumë të madhe për arsimin tonë të lartë.

Qëllimi kryesor i kësaj reforme do të jetë arsimimi i brezit të ti në Shqipëri sipas standarteve europiane. Të gjitha burimet tona njerëzore dhe materiale do të vihen në shërbim të këtij qëllimi parësor. Kjo reformë duhet të prodhojë ekselencat shqiptare, studentë dhe kërkues të talentuar, si dhe t'u krijojë mundësi ekselencave shqiptare, që aktualisht punojnë në universitete dhe qendra kërkimore jashtë vendit, të kthehen sa më shpejt ose të japin ndihmesën e tyre në forma të tjera për arsimin në Shqipëri.

Ne jemi të vetëdijshëm se ky masterplan do të jetë i kushtueshëm, por ne kemi vullnetin e palëkundur politik për të kërkuar dhe siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për realizimin e tij, sepse ai është një investim tepër i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Programi i qeverisë parashikon rritjen deri në dyfishim, të pjesës së buxhetit të arsimit në vendin tonë.

Dua t'ju informoj se këto ditë ne po diskutojmë buxhetin afatmesëm dhe një nga objektivat në këtë buxhet përcaktohet dyfishimi deri në vitin 2009 të buxhetit për arsimin në tërësi. Disa objektiva të rëndësishëm të masterplanit kanë filluar të realizohen, edhe pse kjo qeveri ka vetëm 7 muaj që ka ardhur në pushtet. Ndër to dëshiroj të përmendim këtu reformën e kërkimit shkencor. Është hartuar një platformë e riorganizimit të sistemit të kërkimit shkencor dhe integrimit të tij më të mirë në arsimin e lartë. Kjo platformë po diskutohet me palët, përpara sesa të merren vendimet përkatëse për zbatimin e saj.

Një gjë është e sigurtë se asnjë nuk do të mund ta ndajë mësimdhënien nga shkenca, nga kërkimi shkencor. Forma ekzistuese është një formë, e cila ka nevojë imperative për reformim të thellë. Forma ekzistuese e ndarjes së shkencës nga mësimdhënia krijoi probleme madhore në universitetet tona. Ishte një dekurajim i madh për një plejadë të tërë studentësh, studiuesish të rinj, të cilët në sistemin aktual mbeteshin veçse në orbitën e mësimdhënies, në një kohë kur gjenia e tyre krijuese mund të jepte shumë në fushën e kërkimeve shkencore.

Qeveria që unë kryesoj është e vendosur të bëjë të mundur, që shkollat e larta dhe qendrat kërkimore të gëzojnë autonomi të plotë, por kjo e shoqëruar me rritjen e përgjegjësisë publike dhe të llogaridhënies ndaj taksapaguesve dhe shoqërisë në tërësi. Askush nuk mund të konfondojë autonominë me llogaridhënien dhe me përgjegjësinë ndaj taksapaguesve. Në këtë kuadër, duhet të implementohen standartet dhe modelet e sotme të autonomisë së shkollave perëndimore. Ne nuk mund të vazhdojmë të eksperimentojmë modele të dështuara, të cilat i mbyllin shkollat e larta nga shoqëria dhe nuk sigurojnë autonomi reale dhe përgjegjësi të mjaftueshme në përdorimin e mjeteve publike. Reforma duhet të bëhet duke implementuar modele demokratike, që sigurojnë pjesëmarrje reale dhe të mjaftueshme të grupeve universitare, studentëve, profesoratit, personelit ndihmës dhe faktorëve të interesuar të shoqërisaë në vendimarrje, cilësi të lartë shkollimi, përgjegjësi, transparencë dhe efektivitet të përdorimit të mjeteve publike, si dhe hapje të shkollës së lartë ndaj shoqërisë dhe komunitetit. Në këtë kontekst, bashkëpunimi i ngushtë me Këshillin e Evropës dhe partnerë të tjerë përbën një ndihmesë dhe garanci të veçantë.

Kjo reformë po projektohet dhe do të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin akademik dhe palët e tjera të interesuara të shoqërisë, që do të përfaqësohen në Këshillin Kombëtar të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, institucion i cili do të ketë rolin parësor në hartimin e masterplanit dhe më tej në vlerësimin e rezultateve të implementimit të tij.

Reforma të tilla kaq të thella dhe të rëndësishme bëhen të mundura vetëm duke punuar sëbashku, bëhen të mundura vetëm dukë përfshirë të gjithë faktorët, duke konsultuar mirë principet, konceptet dhe hapat që ndërmerren me grupet e interesuara dhe që kanë gatishmërinë për bashkëpunim. Këtu bëjnë pjesë jo vetëm studentët dhe pedagogët, por edhe aktorë të tjerë të shoqërisë dhe ekonomia private. Qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha palët e interesuara për zhvillimin e kësaj reforme.

Unë jam shumë optimist se Ju, si komunitet akademik, do t'ia dilni mbanë realizimit të kësaj reforme kaq të thellë të arsimit të lartë. Në këtë mënyrë Ju do t'i bëni një tjetër shërbim të çmuar Shqipërisë dhe kombit.

Duke përfunduar, më lejoni t'u uroj sukses të plotë punimeve të konferencës Tuaj.

Ju faleminderit!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›