Prononcimi i kryeministrit Berisha për legalizimet
Në konferencën e sotme për shtyp, i pyetur për kthimin në Kuvend të ligjit të legalizimit nga Presidenti, kryeministri Berisha u shpreh:
"Presidenti ka të drejtë të ushtrojë në liri të plotë kompetencat e tij kushtetuese dhe një nen i Kushtetutës i jep presidentit të drejtën t'i rikthejë parlamentit për shqyrtim ligje. Në këtë kontekst, është një proces tërësisht normal. Ligji i legalizimeve është një ligj themelor për reformën. Mazhoranca i ka të gjitha votat për rivotimin e tij. Përsa i përket karakterit kushtetues ose jo, ky vend dhe çdo institucion kanë 2 gjykata, pra Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Gjykata e Strasburgut. Ai që lexon sinopset e Gjykatës së Strasburgut, do të gjejë të qartë se ligji është në përputhje të plotë me të drejtën euriopiane. Së dyti, duke mos implikuar aspak presidentin, dua të garantoj të gjithë të shpërngulurit se ata do të marrin me këtë formulë të premtuar, dokumentat për shtëpitë e tyre. Asgjë nuk mund të pengojë këtë proces vendimtar për zgjidhjen e problemeve të pronësisë. Kjo reformë, pronësia, është prekur më shumë se me cdo gjë tjetër, me ligjin 7501. Është edhe ai ligj i reformës së pronësisë, reforma e pronësisë është reforma lokomotivë e të gjitha reformave të tjera. Ajo do realizohet. Po. Është e vërtetë që ndaj të shpërngulurve ka patur një stihi raciste, nga segmente të pushtetit. Vetëm pak kohë më parë eksponenti i dytë i Partisë Socialiste i stigmatizoi si kolona. Ata janë qytetarë shumë të nderuar dhe do marrin shtëpitë e tyre. Sikundër ftoj të tjerët të mos e shfrytëzojnë këtë moment për të bërë ndërtime të reja, sepse territori është i filmuar. Ligji do kalojë me shpejtësi, por nuk do të pranohen dhunime të ligjit."