Prononcim i kryeministrit Berisha rreth situatës në Kuvend
Në konferencën e sotme për shtyp, i pyetur rreth situatës në Kuvend, kryeministri Berisha u përgjigj:
"Ajo çka unë mund të them është kjo, sipas informacionit që unë kam nuk mund të bëhet fjalë kurrë që opozitës t'i mohohet hapësira që i jep rregullorja e parlamentit. As nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë në praktikën tonë. Jo vetëm opozita, por çdo deputet i parlamentit ka të drejtën e iniciativës ligjvënëse. Gjëja më normale është depozitimi i kërkesës dhe nuk i ka shkuar askujt ndonjëherë ndërmend që të bllokojë këtë iniciativë kushtetuese, themelore të çdo ligjvënësi shqiptarë, të cdo grupi parlamentar, të çdo force politike, të 20 mijë qytetarëve, edhe jashtë parlamentit."
"Çfarë keni parasysh, me gardën? A nuk janë dhe ata bij nënash e baballarësh? A nuk janë dhe ata qytetarë të këtij vendi, që të rrihen dhe të ndodhe ajo qe ndodhi? Jo!. Nëse dikush përdor imunitetin për të rrahur të tjerët, kjo është vaj-medet pastaj. Imunitetin për të goditur qytetarët, as qytetarët e thjeshtë, e as qytetarët në detyrë, nuk mund ta përdorë kush. Janë evidente fyerjet e shtyrjet e tyre. Por një gjë del, kjo periudhë u faktoi shqiptarëve dhe një herë se, kush kanë qenë ministrat, zv/ministrat, kryeparlamentarët dhe zv/kryeparlamentarët e tyre. Këtë, zotëri, nuk e bëmë ne si opozitë, e bënë vet ata. Ky është komenti im. Opozita respekton e respektohet. Por kur zgjedh vet mjetin, ajo është në vullnetin e saj pastaj. Një gjë duhet të dini, që rregullorja e Parlamentit rregullon Parlamentin, është ligji i tij. Shtet ligjor, pa respektuar rregulloren nuk mund të ketë."
"Nuk ka autoritet dhe forcë që mund të pengojë të drejtën ligjvënëse. Që kur është themeluar parlamenti kushtetues e deri sot, e drejta kushtetuese e deputetëve për ligjvënie është e patjetërsueshme. U kërkua me procedurë të përshpejtuar, nuk u pranua. Por procedura tjetër as që mund të bllokohet. Nuk ka asnjë lloj tagri mazhoranca të bllokojë iniciativën ligjvënëse të deputetëve. Kjo nuk ka pse të ndodhë. Ata nuk kanë pse të falenderojnë askënd për këtë. Ne jemi të detyruar ta respektojmë atë."
______________________________________
"Përsa i përket qëndrimit të grupit parlamentar të PD-së, siç ka të drejtë grupi parlamentar i PS-së, ka të drejtë dhe grupi parlamentar i PD-së të mbajë qëndrimet e veta. Një gjë është e sigurt që, në mënyrë kategorike, absolute, imponimi nuk do të pranohet. Që në momentin që shumica do të pranojë dhunën e pakicës, ajo pranon të dorëzojë mandatin, gjë e cila nuk mund të konceptohet. Dhuna e pakicës ndaj shumicës nuk mund të pranohet, ashtu siç nuk mund të pranohet as dhuna e shumicës ndaj pakicës. Të gjitha marrëdhëniet rregullohen me ligj. Janë ligjet ato që rregullojnë marrëdhëniet. Për një mandat, të drejtën e miratimit të ligjeve, sovrani ia ka transferuar shumicës. Më këtë Kushtetutë, për disa ligje, ia ka kufizuar edhe asaj, sepse i thotë se do të kesh 84 vota. Dhe ligjet që janë me 84 vota, sado që qeveris, nuk ka tagër t'i lëvizë".