E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pritet nga Kryeministri i Luksemburgut, Duka i Madh dhe Presidenti i Dhomës së Deputetëve

Me datën 16 mars 2006 kryeministri Sali Berisha bëri një vizitë zyrtare në Luksemburg, shoqëruar nga Ministrja e Integrimit, znj. Arenca Trashani, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, z. Myqerem Tafaj si dhe Drejtori i Kabinetit, z.Arben Imami.
Kryeministri i Luksemburgut, z.Jean Claude Juncker i rezervoi një pritje të ngrohtë dhe miqësore kryeministrit Berisha. Pas nderimeve ushtarake, himneve kombëtare dhe paraqitjes së delegacioneve zyrtare, kryeministri Berisha dhe kryeministri Juncker zhvilluan një takim të veçantë kokë më kokë për rreth 30 minuta, pas të cilit të dy kryeministrat zhvilluan bisedime të hapura në prani të delegacioneve zyrtare. Fillimisht, kryeministri Berisha e falenderoi z.Juncker për mbështetjen që Luksemburgu i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, si në përpjekjet për integrimin, ashtu dhe në projekte si ata të furnizimit me ujë të zonave të ndryshme të vendit.
Në këto bisedime, u diskutua kryesisht për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve si dhe inkurajimin e investitorëve të Luksemburgut për të investuar në Shqipëri në turizëm, infrastrukturë dhe energjitikë.
Kryeministri Juncker siguroi se do të nxisë investitorët luksemburgas për të ardhur në Shqipëri. Z.Berisha e njohu mikun e tij me përpjekjet dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në lidhje me këtë, kryeministri Juncker u shpreh: "Mbetemi admirues përpara përpjekjeve të të qeverisë shqiptare për t'i zënë rrugën kësaj fatkeqësie kombëtare që pengon gjithmonë funksionimin e institucioneve dhe rrjedhimisht të shtetit ligjor".
Në diskutime, një vend të veçantë zuri edhe çështja e integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO. Në rendin e ditës u diskutuan dhe problemet e Ballkanit Perëndimor si integrimi rajonal, statusi i ardhshëm përfundimtar i Kosovës dhe referendumi në Malin e Zi.
Kryeministri Juncker e siguroi z.Berisha se ai dhe qeveria e tij do të mbështesin nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, si dhe përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në NATO.
Z.Berisha i shprehu z.Juncker mirënjohjen për ftesën dhe pritjen e ngrohtë dhe e ftoi atë të vizitonte Shqipërinë, ftesë që u prit me kënaqësi nga z.Juncker.
Kryeministri Berisha u prit më pas edhe nga Duka i Madh i Luksemburgut si dhe nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve z. Lucien Weiller.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›