Kryeministri Berisha u përgjigjet pyetjeve mbi deklaratat e Ministrit të Jashtëm
Gjatë konferencës së sotme për shtyp, në lidhje me këtë çështje, kryeministri u shpreh:
"Nuk kam ndërmend të komentoj citimet tuaja të nxjerra jashtë kontekstit. Ajo çka unë dua të them këtu para jush është: Së pari, Partia Demokratike dje në opozitë dhe sot në qeveri, sëbashku me koalicionin, ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht respektimin rigoroz të kufijve aktualë ndërkombëtar në jugun e Ballkanit dhe në Ballkan në tërësi. Jemi ndër të parët që kemi mirëpritur përcaktimin e BE-së për mosndryshimin e kufijve në këtë rajon dhe kuadrin e përcaktimit të Statusit përfundimtar të Kosovës, me mosndryshimin e kufijve ndërkombëtarë dhe me mosbashkimin e saj me vende të tjera. Së treti, që kur Republika e Maqedonisë ka shpallur pavarësinë, deri sot, kam qenë dhe mbetem i mendimit se integriteti dhe stabiliteti i kësaj Republike është interesi jetik i rajonit dhe i shqiptarëve. Marrëveshja e Ohrit, si bazë për paqen dhe stabilitetin në Maqedoni, ka marrë mbështetjen më të gjerë; zbatimi serioz i saj është pa diskutim një meritë e autoriteteve të këtij vendi fqinj. Së fundi, dua t'ju pohoj se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera. Dhe këtë e keni konstatuar edhe ju, shpreh kënaqësinë se është dyfishuar tregtia me ta, uroj që të trefishohet gjatë vitit që vjen dhe me radhë. Këto janë qartësimet që unë desha të bëj, jo për cështjen që ju nxirrni jashtë kontekstit, por për problemin në tërësi.
Të mendoni ju se z. Mustafaj ka ndonjë mendim tjetër nga ky që shpreha unë është si të kërkosh eskimezë në shkretëtirë."
I pyetur për Kosovën, kryeministri u përgjigj:
"Qëndrimi i Shqipërisë është një përpjekje serioze për të kontribuar në zgjidhjen e këtij problemi. Unë kam pritur këtu kryenegociatorin Ahtisari, i cili po bën një punë shumë të lavdërueshme. Kam pritur autoritetet e Kosovës, kam pritur përfaqësuesin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe kam patur takime ne Bruksel. Në të gjitha këto takime qëndrimi i Shqipërisë është vlerësuar. Kanë qenë të tjerë ata që janë përpjekur në mënyrë të dështuar ta përdorin. Ne kemi një qëndrim. Në rast se ne arrijmë të kontribojmë, ne ofrojmë kontributin tonë. Por kemi deklaruar dhe deklarojmë se ne nuk mund dhe nuk do të jemi aktorë në këtë problem. Dhe ky qëndrim u është shprehur autoriteteve ndërkombëtare edhe shume kohë para së të fillonin negociatat. Edhe kur kam qenë në opozitë, ky ka qenë mendimi im. Është një çështje që i përket komunitetit ndërkombëtar dhe autoriteteve të Kosovës. Do të ishte e gabuar në rast se Shqipëria do të merrte një rol të tillë. Shqipëria do të ofrojë kontributin e vet siç e ofron Maqedonia, Mali i Zi dhe të gjitha vendet, natyrisht, Shqipëria me nje specifikë, se nuk mund të thuhet se nuk ka një specifikë, por siç e shihni kjo çështje ka një Grup Kontakti, është Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ata që janë vendimarrësit, së bashku me autoritetet e Kosovës."