Qeveria miraton ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e Greqisë për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve të trafikuar
Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, miratoi në mbledhjen e të martës vendimin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve, viktima të trafikut.
Kryeministri Berisha u shpreh se me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ne hapim një kapitull të ri në përballjen tonë me njërën prej dukurive më të dhimbshme, më negative, sic është trafiku i fëmijëve. Ai theksoi se kjo është një marrëveshje lehtësuese, nuk është një marrëveshje që bën të mundur çrrënjosjen e problemit, por edhe kjo është e domosdoshme, sepse synon që t'i gjejë, t'i rikthejë, ata fëmijë që janë larguar nga Shqipëria, që janë trafikuar nga përbindësh të vërtetë trafiqesh. Sepse, shtoi z. Berisha, "ata që trafikojnë fëmijë janë mostra, janë përbindësha të vërtetë". Kryeministri theksoi se përmes këtij vendimi synohet ndihma ndaj këtyre fëmijëve "për t'i vendosuar ata në qendra ku të ç'traumatizohen, të dalin nga stresi dhe traumat që kanë pësuar, të riaftësohen dhe sëbashku me moshatarët e tyre, të ndjekin shkollën dhe rrjedhën e jetës".
Vendim
Për
Propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve, viktima të trafikimit".
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
Propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve, viktima të trafikimit", për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Kryeministri
Sali Berisha
Projektligj
Për
Ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve, viktima të trafikimit
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
Vendosi:
Neni 1
Ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve, viktima të trafikimit.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
Kryetari
Jozefina Topalli