E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Deputetët dhe qeveria ime, pa imunitet



Kryeministri Sali Berisha, në mënyrë të qartë, shprehet se institucionet e drejtësisë e kanë të hapur rrugën për hetimin dhe penalizmin e deputetëve apo ministrave, njëlloj si qytetarët e thjeshtë. Kreu i qeverisë reagoi dje menjëherë pas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për të pushuar çështjen penale ndaj ish-ministrit Famir Mediu, për shkak të imunitetit. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, z. Berisha deklaroi nëpërmjet zëdhënëses së tij, Juela Meçani, se kjo mazhorancë ka qenë dhe mbetet e hapur për të lënë në dorë të drejtësisë imunitetin e cilitdo deputeti apo ministri të saj. Në reagimin e tij, Kryeministri Sali Berisha bën të ditur se “duke mos ndërhyrë në vendimet dhe pavarësinë e gjykatës, ai rikonfirmon se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj pengese për institucionet e akuzës dhe organet gjyqësore për hetimin dhe penalizimin e deputetëve apo ministrave, njëlloj si qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, pasi ky është standardi i kësaj mazhorance”. “Duke mos ndërhyrë në vendimet dhe pavarësinë e gjykatës, si Kryeministër dhe si kryetar i kësaj mazhorance, rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin tim të prerë se për qeverinë time dhe deputetët e mazhorancës, sikundër edhe gjatë mandatit të shkuar, edhe gjatë këtij mandati nuk ka dhe nuk do të ketë imunitet, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj pengese për institucionet e akuzës dhe organet gjyqësore për hetimin dhe penalizimin e deputetëve apo ministrave, njëlloj si qytetarët e thjeshtë të këtij vendi”, - deklaroi z. Berisha. Sipas tij, ky është standardi i mazhorancës që ai drejton.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›