E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuamah, Berishës: BB-ja, mbështetje financiare për zhvillim



Banka Botërore garanton vijueshmërinë e bashkëpunimit me qeverinë e re të kryesuar sërish nga Kryeministri Sali Berisha. Njëherësh, BB-ja premton mbështetje financiare. Z. Berisha priti dje znj. Camille Nuamah, përfaqësuese e përhershme e BB-së në Shqipëri, e cila bëri një vizitë zyrtare për t’i uruar Kryeministrit fillimin e punës në krye të qeverisë së re. Znj. Camille shprehu gatishmërinë e BB-së për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm të mëtejshëm me qeverinë shqiptare. Ajo e siguroi Kryeministrin se BB-ja do të vazhdonte me të njëjtin përkushtim punën për përfundimin e projekteve të nisura, si dhe fillimin e projekteve të reja, sipas strategjisë së tij për zhvillimin e vendit. Znj. Camille Nuamah i ofroi Kryeministrit ndihmë edhe për përballimin e pasojave të tërmetit, në lidhje me rehabilitimin e 3 shkollave të dëmtuara në këtë zonë. Po kështu, asistenca e BB-së, së bashku me atë të donatorëve të tjerë, do të vazhdojë në fushën e shëndetësisë, të ambientit etj. Kryeministri Berisha e garantoi Nuamah se qeveria e tij do të vazhdojë bashkëpunimin me Bankën Botërore, në suksesin e projekteve ekzistuese, si dhe në atë të projekteve të ardhshme. Ai tha se ambiciet e qeverisë së tij janë shumë më të mëdha se të 4-vjeçarit të parë të qeverisjes dhe se bashkëpunimi me BB-në dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë është shumë i rëndësishëm për të. Kjo edhe për faktin se ky mandat i qeverisë së tij përkon edhe me objektivin e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian. Kryeministri theksoi se zhvillimi i bujqësisë është një nga objektivat kryesorë të qeverisë së tij dhe si pjesë e tij, dyfishimi i prodhimit bujqësor, edhe pse jo i lehtë, lufta kundër varfërisë, zhvillimi i sipërmarrjeve në bujqësi dhe i burimeve të financimit të një sërë projektesh madhore.

Z. Berisha shprehu sigurinë për suksesin e bashkëpunimit të mëtejshëm me BB-në dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë. Znj. Camille Nuamah njoftoi gjithashtu se Banka Botërore po bën një studim në lidhje me zhvillimet klimatike dhe situatën e burimeve ujore në Ballkan, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›