E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Bruksel, tentaton të takojë Rehn



Raporti i publikuar dje nga misioni i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit e ka gjetur në Bruksel Edi Ramën, kreun e PS-së, i cili nuk i ka njohur zgjedhjet e fundit. Sipas burimeve zyrtare nga PS, kreu i kësaj partie është nisur në një vizitë informale në Bruksel, pa ndonjë ftesë specifike, por në tentativa për të pasur kontakte në nivel të lartë me funksionarë në selinë e Komisionit Evropian. Raporti që i kualifikoi këto zgjedhje si më të mirat e realizuara më parë nga vendi ynë duket se nuk i ka ardhur shumë në ndihmë Ramës, i cili në fakt pretendon se zgjedhjet u manipuluan dhe po kërkon të marrë dhe mbështetje ndërkombëtare në këtë drejtim. Por pasi nuk arriti të bindë zyrat e përfaqësive diplomatike në Tiranë për hapin e tij radikal që la 65 deputetët e opozitës jashtë Parlamentit, Rama po kërkon kontakte në zyrat e Brukselit. Sipas burimeve, ai shoqërohet në këtë udhëtim nga kreu i G99-s, Erion Veliaj, i cili nuk arriti dot të kalonte pragun për t’u bërë parti parlamentare, me gjithë mbështetjen e Ramës në fushatë. Nuk dihet se çfarë takimesh ka planifikuar kreu i opozitës gjatë qëndrimit në “kryeqytetin” e BE-së, por burimet saktësojnë se suksesi i vizitës do të ishte një takim, qoftë dhe informal dhe i shkurtër, me komisionerin për Zgjerimin, Olli Rehn. Ndërkaq nuk pritet që Rama të marrë mbështetje për bojkotin e Kuvendit, pasi shumë diplomatë të huaj nuk e kanë cilësuar këtë si rrugën e duhur që duhet të ndjekë opozita në një vend demokratik.

Ndërkaq po dje në darkë ishte Erion Braçe, që reagoi në emër të PS-së për raportin e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it. Ai është munduar të lexojë me syze të zeza këtë raport, duke u marrë vetëm me kritikat që kishin të bënin me politizimin e anëve teknike, ndërkohë që vlerësimet për arritjen e standardeve ishin në krye të këtij raporti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›