E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Pulaj: Shqipëria e Kosova, bashkë drejt BE-së



Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të projektuara qartë drejt integrimit të përbashkët evropian. Sipas Presidentit të Republikës, Bamir Topi, pas stabilizimit të situatës, konsolidimit të një shteti demokratik dhe shumetnik në Kosovë me strukturë dhe fizionomi euroatlantike, po dëshmohet përditë e më shumë se “Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të projektuara qartë drejt integrimit të përbashkët evropian”. Z. Topi priti dje ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë së Kosovës në Tiranë, z. Gazmend Pulaj, i cili paraqiti letrat kredenciale, duke u bërë kështu zyrtarisht ambasadori i parë i shtetit të ri të pavarur të Kosovës në Shqipëri. Kreu i shtetit shqiptar, pasi u shpreh se “ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe emocionues, sepse përbën finalizimin zyrtar të një marrëdhënieje që ne e kemi pritur me padurim”, e uroi z. Pulaj për suksese, duke e siguruar njëkohësisht ambasadorin kosovar për mbështetjen e tij të plotë dhe të të gjitha institucioneve të shtetit përgjatë misionit të tij. Z. Pulaj theksoi se “ndihet shumë i nderuar dhe i privilegjuar që po përjeton këtë çast historik duke përfaqësuar Kosovën si ambasador në Tiranë” dhe nënvizoi se zhvillimi dhe fuqizimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të dyanshme dhe bashkëpunimit të shkëlqyer e vëllazëror mes dy vendeve do të jenë objektivat kryesore të punës së tij në Shqipëri. Gjatë takimit u diskutua për situatën e re gjeopolitike në rajon; u shpreh interesi dhe vlerësimi reciprok për thellimin e marrëdhënieve shumë të mira e vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve jo vetëm në fushën politike, por edhe në atë ekonomike, kulturore etj., duke i kushtuar një vëmendje të veçantë procesit të njohjes së mëtejshme të pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare nga sa më shumë shtete të tjera, numri i të cilave sa vjen e rritet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›