E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Deputetët e ministrat, së shpejti pa imunitet

Kryeministri Sali Berisha ka ritheksuar nga Devolli se heqja e imunitetit do ta bëjë demokracinë në vend më të fortë se aktualisht. "Kemi përpara edhe një hap të madh, heqjen e imunitetit. Lufta kundër korrupsionit është një betejë e madhe, imagjinoni sa eficente do të bëhet ajo kur të shembim muret e imunitetit", tha Berisha. Kreu i Ekzekutivit shtoi se "parlamentarë, ministra, gjykatës nuk do të kenë më imunitet, por do të jenë si njerëzit e thjeshtë, të barabartë para ligjit". PD dhe PS kanë arritur të gjejnë konsensusin e plotë edhe për heqjen e imunitetit. Pas bashkëpunimit për ndryshimet në Kushtetutë, kreu i PD-së, Sali Berisha e ka përqendruar vëmendjen tek imuniteti i çdo zyrtari të lartë. VIP-at e politikës dhe të institucioneve kyçe të shtetit nuk do të fshihen më pas maskës së imunitetit, duke zbatuar kështu të njëjtën praktikë që ndiqet në politikën e vendeve perëndimore, siç është Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri, 14 ministrat, 140 deputetët, por edhe gjykatësit nuk do të kenë më imunitet. Duket se ky është vendimi i përbashkët i ndërmarrë ndërmjet dy partive më të mëdha. Berisha bëri të ditur se ai dhe Rama kanë rënë tashmë dakord për të hequr imunitetin. Kryeministri u ndal në rëndësinë që ka kufizimi i imunitetit për të gjithë zyrtarët, me qëllim vendosjen e barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit. Sipas tij, me këtë reformë jo vetëm vendoset barazia para ligjit, por me këtë reformë hiqet një pengesë që qëndronte para gjyqësorit shqiptar për të mbushur misionin dhe funksionin e tij, sikurse edhe vetë ata zhvishen nga imuniteti, për të cilin ata nuk kanë nevojë. Në këtë kontekst Kryeministri Berisha tha se Shqipëria me këtë vendim nuk bën gjë tjetër vetëm se vendos atë standard që SHBA-të, ata që themeluan Amerikën e vendosën në Kushtetutën e saj, vendos atë standard, të cilin e kanë të tyrin shumica e vendeve të lira demokratike dhe ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm. "Reforma të tilla mund të ishin dashur t`i kishim bërë më parë, mund të ishim përpjekur të mblidhnim 84 vota, por gjëja më e madhe është kur ajo bëhet me ujdinë e të dyja palëve, kur pozita dhe opozita dëshmojnë se parimet e mëdha i kanë të njëjta dhe dinë t`u japin atyre përparësi ndaj të gjitha kundërshtive që kanë me njëra-tjetrën", u shpreh Kryeministri, duke e përshëndetur këtë moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›