Xhaferraj: Reforma në drejtësi të jetë gjithëpërfshirëse
Nis sot nga puna nënkomisioni për reformën në drejtësi, i cili do të përcaktojë edhe kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferraj, ka vlerësuar bashkëpunimin e PS për angazhimin në reformat që i nevojiten vendit për të ecur drejt integrimit. "Ne mbetemi të hapur e të angazhuar si edhe deri tani për të dhënë kontributin tonë në finalizimin e kësaj reforme, që në fakt vetëm ka nisur me ligjin për pushtetin gjyqësor", tha Xhaferraj, duke shtuar se reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Një ditë më parë, drejtuesit e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, përkatësisht Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj, dhanë sinjalet në plotësimin e kësaj reforme, duke u shprehur për fillimin e diskutimit të saj në Parlament, në ditët e para të javës së ardhshme. "PD mbetet e vendosur për t‘u shkuar deri në fund të gjitha reformave të mëdha, ku vend të rëndësishëm zë reforma në drejtësi", u shpreh Patozi, duke konfirmuar gatishmërinë e partisë më të madhe të mazhorancës në përmbushjen e këtij objektivi. Për këtë qëllim ai u shpreh për fillimin e shpejtë nga puna të nënkomisionit të reformës në drejtësi, "i cili të diskutojë të gjitha temat e mëdha, duke filluar me çështjen e kufizimit të imunitetit, por dhe tema të tjera, për të cilat jemi të hapur", u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD-së. Ndërkohë që shtyrjen në kohë të diskutimit të paketës ligjore për këtë reformë Patozi e konsideroi "jo një proces të ndërprerë, por të spostuar pak, për shkak të axhendës së ngjeshur parlamentare të kohëve të fundit". Projekti për reformën në drejtësi nisi me miratimin nga Kuvendi në shkurt të këtij viti të p/ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i cili synon të realizojë një gjyqësor të pavarur. Paketa ligjore për reformën në sistemin e drejtësisë shoqërohet dhe me disa amendime të paraqitura për ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit Civil.
Debati i hapur së fundmi për kufizimin e imunitetit të deputetit po shikohet si një çështje që mund të bëhet pjesë e kësaj pakete. Ndërkohë që pritet të merret shpejt në shqyrtim nga nënkomisioni "Për reformën në drejtësi", i ngritur me një vendim të Parlamentit në muajin shkurt, ku kryetar është Fatos Beja dhe nënkryetar Fatmir Xhafaj.
Debati i hapur së fundmi për kufizimin e imunitetit të deputetit po shikohet si një çështje që mund të bëhet pjesë e kësaj pakete. Ndërkohë që pritet të merret shpejt në shqyrtim nga nënkomisioni "Për reformën në drejtësi", i ngritur me një vendim të Parlamentit në muajin shkurt, ku kryetar është Fatos Beja dhe nënkryetar Fatmir Xhafaj.