E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fore: Pro heqjes së imunitetit

Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë takuar dje administratoren e Përgjithshme të USAID-it, Henrieta Fore. Për nder të administratores, Kryeministri ka shtruar një darkë, në të cilën merrte pjesë edhe ambasadori amerikan John Withers dhe drejtori i USAID-it në Shqipëri. Administratorja e USAID-it është interesuar për reformat në vendin tonë. "Përgëzoj përpjekjet për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe në nivelet e larta të gjyqësorit, si një sinjal i qartë ndaj opinionit publik se shteti ligjor funksionon", është shprehur administratorja e USAID-it, e cila dha vlerësime të larta për reformat e bëra në sektorë të ndryshëm të zhvillimit të vendit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se "një ndër drejtimet kryesore të këtyre reformave, ku ne po punojmë është kufizimi i imunitetit të deputetëve, si dhe një reformë e thellë në sistemin e drejtësisë". Gjatë takimit, Kryetarja Topalli u ndal edhe në të ashtuquajturën "Reformë të rëndësishme të shtetit, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese. Kryetarja Topalli trajtoi edhe çështje të ndryshme si investimet në infrastrukturë dhe në sektorë të tjerë publikë si arsimi, shëndetësia, duke i cilësuar si prioritete të punës së qeverisë dhe hartimit të nismave ligjore në Kuvend. Nga ana e saj, administratorja e Përgjithshme e USAID-it, Henrieta Fore, shprehu vlerësimin për arritjet dhe suksesin e Shqipërisë në proceset e zhvillimit demokratik. Fore shprehu gatishmërinë për mbështetjen e mëtejshme të USAID-it në projektet dhe nismat ligjore, që nxisin rritjen e kapacitetit të administratës publike, si dhe zhvillimit të sektorëve të turizmit, shëndetësisë dhe infrastrukturës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›