AKEP: AMC zyrtarisht fituese e licencës 3G me 15,1 mln euro
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka shpallur dje zyrtarisht kompaninë e telefonisë së lëvizshme AMC si fituese e licencës së dytë të teknologjisë 3G në Shqipëri. AKEP formalizoi si fituese ofertën prej 15.1 milionë eurosh të kompanisë pjesë e grupit “Deutsche Telecom”. Në garë mori pjesë edhe operatori Eagle Mobile, që ofroi 12.9 milionë euro. Oferta e paraqitur prej Albanian Mobile Communications sh.a me vlerë prej 15 100 000 euro u identifikua si oferta më e lartë një javë më parë. Kompania AMC thyen në këtë mënyrë monopolin e 3G në Shqipëri. Gara për licencën e dytë 3G u çel në qershor të këtij viti. Çmimi dysheme i kësaj gare ishte 12.5 milionë euro dhe kushtet ligjore e teknike ishin po ato të garës për licencën e parë 3G, që u hap në vjeshtë të vitit të kaluar, dhe u fitua nga kompania Vodafone Albania me ofertën 31.4 milionë Euro. Vodafone Albania është kompania e parë celulare që ofroi teknologjinë 3G në Shqipëri, duke u ofruar kështu klientëve të saj avantazhe konkurruese në treg si edhe eksperiencën e miliona përdoruesve në mbarë botën. Gjatë tenderit për licencën e parë 3G kompania Vodafone ofroi 31.4 milionë euro për të fituar licencën e vetme të ofrimit të shërbimeve të gjeneratës së tretë, në kohën kur oferta minimale ishte 12.5 milionë euro. Operatori i dytë Eagle Mobile bëri në atë kohë një ofertë pak më të larte sesa ajo minimale. Nga 12.5, Eagle ofroi 12.559 milionë euro. Teknologjia 3G ofron një kapacitet më të lartë të transmetimit të të dhënave krahasuar me teknologjinë e zakonshme 2G apo GSM. Kjo mundëson ofrimin e internetit me shpejtësi më të madhe përmes rrjetit celular, apo edhe shërbime të reja, si video-thirrjet. Që nga vjeshta e kaluar, shërbimet 3G në Shqipëri ofroheshin vetëm nga operatori “Vodafone Albania”, që fitoi garën për licencën e parë me një ofertë prej 31.4 milionë eurosh.