Berisha: “Digat janë të sigurta, të mos përhapin panik për qëllime politike”
Kryeministri gjen vend për të bërë politikë në mes të katastrofës
Eljona Ballhysa
Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha foli me tone më të qeta për situatën në zonat e përmbytura. Ndryshe nga dy ditë më parë, kur vetë kreu i qeverisë e cilësoi gjendjen në buzë të katastrofës, dje Berisha aludoi për panik të përhapur për qëllime politike nga opozita. Ndërsa i garantoi qytetarët e Shkodrës se nuk ka asnjë rrezik për shpërthimin e digës dhe përmbytjen e qytetit, Berisha u shpreh se ata që kërkojnë të përfitojnë politikisht nga kjo situatë duke përhapur panik, janë të sëmurë. Madje kreu i qeverisë u është referuar të dhënave të vitit 2004 për sasinë e ujit të zbrazur nga hidrocentralet, duke treguar se kjo situatë nuk është e jashtëzakonshme. Kryeministri gjithashtu i ka garantuar banorët se do të dëmshpërblehen për humbjet e tyre, ndërsa shtoi se qeveria e tij nuk mund të mbajë të njëjtin qëndrim siç mbajti Bashkia e Tiranës disa vite më parë, ku nuk dëmshpërbleu asnjë banor nga shpërthimi i digës së Liqenit Artificial.
Akuzat
“Dua t’i siguroj qytetarët e Shkodrës së digat janë plotësisht të sigurta, sistemi i zbrazjes së tyre është plotësisht i sigurt dhe përrallat se hapet apo s’hapet janë tërësisht imagjinatë e sëmurë”, - është shprehur Berisha. Ai shtoi se situata është e kapërcyeshme dhe këtë e ka konfirmuar dhe këshilltari i kryeministrit italian për sistemin e digave. “Para tri orësh kam pasur në zyrë kryeekspertin e digave të Italisë, të cilin e dërgoi me urgjencë nga SHBA-të kryeministri Berluskoni. Ai konfirmoi atë që ne u kemi thënë banorëve, se kjo është një situatë e kapërcyeshme, por largimi i banorëve nga zona e përmbytjes është veprimi më i përgjegjshëm dhe më i domosdoshëm. Këtu nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë vend për asnjë lloj paniku. Ata që hapin panik janë të sëmurë”, - është shprehur Berisha duke nënkuptuar zërat nga opozita.
Duke e cilësuar situatën të zakonshme ai iu referua të dhënave ndër vite. “Shkarkimet e deritanishme, edhe ato me kulmoret, nuk janë as gjysma e më kulmoreve të vitit 2004. Historiku i derdhjeve dhe i shkarkimeve është ky; që më 26.3.2004 janë shkarkuar 3017 m3 ujë në sekondë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Më 27.03.2004 janë shkarkuar 6210 m3 ujë në sekondë. Atyre që duan ta paraqesin këtë situatë si të paprecedentë, dua t’i kujtoj se e bëjnë për qëllime politike. Janë shkarkuar 4007 m3 ujë dhe nuk është përmbytur as qyteti dhe as ka lëvizur vendi. Bahçallëku ka qenë një zonë që është përmbytur periodikisht”, - është shprehur Berisha.
Ndihma
Gjatë fjalës së tij Berisha kërkoi që të merren masa për ato familje që kanë hapur dyert dhe kanë ndihmuar të afërmit e tyre. Ai kërkoi nga komunat që të merren masa dhe të mbahen shënim familjet, në mënyrë që t’u dërgohen ndihma. Nga ana e tij Berisha dha në ndihmë të banorëve rrogën e tij mujore dhe kërkoi hapjen e një llogarie bankare për të gjithë ata persona që duan të kontribuojnë. “Në traditën më të shkëlqyer shqiptare janë hapur dyert dhe zemrat e qindra familjeve kanë marrë në shtëpitë e tyre, ndonëse ne i kemi të gatshme, përveç turizmit dhe konvikteve, të dyja konvaleshencat dhe po të jetë e nevojshme, shumë lokale dhe ndërtesa e tjera, por këta qytetarë që kanë hapur dyert e shtëpisë për njerëzit e tyre duhet të ndihmohen. Kërkoj që të dërgohen ndihma. Komuna të fillojë regjistrimin e familjeve që janë dyfishuar me familjarë dhe të dërgohen ushqime, ilaçe etj.” - është shprehur Berisha, ndërsa garantoi dëmshpërblimin e qytetarëve nga dëmet e shkaktuara nga përmbytja. “Dua të deklaroj edhe njëherë që banorët do të kompensohen qindarkë për qindarkë për çdo humbje dhe nuk do të kenë fatin e qytetarëve të Tiranës, që i lau dhe shpëlau diga dhe nuk u kompensuan”, - është shprehur Berisha.
Studimet
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha sugjeroi ministrat që pas kapërcimit të kësaj situate të hartojnë studime për shtratin e lumit të Bunës. “Mendoj se një studim i lumit të Bunës është i domosdoshëm. Duhet të studiohet në rast se gjenden grumbuj që vështirësojnë rrjedhjen. Të studiohet mundësia e disponimit të sistemit të pompave të fuqishme në mënyrë që pas ndërprerjes së shkarkimeve të mund të jemi shumë aktivë në evakuimin e ujërave nga territoret e përmbytura që janë mbi 4000 hektarë”, - është shprehur Berisha, i cili tha se deri tani janë evakuuar 2600 banorë, ndërkohë që ka dhe të tjerë që duhet të largohen nga zonat që paraqesin rrezik.
Vendimi, ndalohet marrja e inerteve nga shtretërit e lumenjve
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme vendimin e propozuar nga Ministria e Mjedisit që Shqipëria të zbatojë një standard të BE-së për të mos lejuar marrjen e inerteve të lumenjve nga muaji nëntor deri më 31 maj. “Unë personalisht jam dakord me këtë vendim, i cili megjithëse vështirëson sektorin e ndërtimit, por do të marrë përparësi të madhe, sepse mbrojtja e shtretërve të lumenjve është e domosdoshme. Ndaj dhe dhënia e lejeve për guroret duhet të shoqërojë këtë vendim, por me një kusht, që guroret do të jepen, por pasi të kenë dorëzuar me përgjegjësi projektin e rehabilitimit që nënkupton shfrytëzimin taracor dhe shfrytëzimi me taracë, me kusht që aty të mbijë pema, ulliri. E dyta, nuk mund të jenë me fytyrë nga rruga, duhet të jenë nga faqja tjetër. Përndryshe kompanitë do të shpallen për krim ndaj mjedisit”, - është shprehur kryeministri Berisha.
Komiteti i Emergjencës Civile zhvendoset në Shkodër
Komiteti i Emergjencës Civile ka marrë dje vendimin për ta pasur qendrën e zhvillimit të punimeve të tij në Shkodër. Ky vendim është përshëndetur dje nga kryeministri Berisha, i cili tha se pikërisht atje duhet të qëndrojë ky Komitet, pasi ky qark është i prekur nga përmbytjet. Berisha, gjatë fjalës së tij ka përshëndetur banorët e Obotit, Anës Malit, Dajçit e Bushatit, të cilët u janë përgjigjur thirrjes dhe kanë vendosur me përgjegjësi të lartë qytetare të evakuohen. “Dua t’ua bëj thirrjen time më miqësore atyre që akoma qëndrojnë në zonën e Obotit, Anës së Malit, Dajç në zonën e Bushatit, që janë të rrezikuara nga përmbytja, të evakuohen nga shtëpitë e tyre, duke ndihmuar që një situatë realisht kërcënuese ta bëjë të padëmshme përsa u përket jetëve njerëzore. Zoti ministër, unë e përshëndes vendimin tuaj që Komisioni Emergjencës të instalohet në Shkodër për të ndjekur nga afër të gjithë problematikën”, - është shprehur Berisha.
Mëhilli: “Rama po përhap panik për çarjen e digave”
Edhe në këtë situatë emergjence për shkak të përmbytjeve, nuk kanë munguar akuzat dhe kundërakuzat midis Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Në një komunikim me median, zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, akuzoi Ramën se po përhap panik për çarjen e digave. “Edvin Kristaq Rama po përdor veglat e tij duke i ndërsyer për të marrë në telefon qytetarë të ndryshëm në Shkodër për t’u thënë se digat janë në rrezik çarjeje”, - tha Mëhilli. Ajo shtoi se “Partia Demokratike i thotë këtij paranojaku se digat janë në siguri të plotë, se nivelet e tyre janë tërësisht të kontrollueshme dhe se paniku që përpiqesh të hapësh në Shkodër tregon vetëm urrejtjen tënde ndaj këtij qyteti që ka ditur të të përgjigjet gjithmonë siç t’i meriton”.
8 Janar 2010