Shkatërrohen 20 shtëpi në Hekal të Mallakastrës
08/01/2010 Rrëshqitjet e tokës, banorët në qiell të hapur
MALLAKASTER- Shkarja e tokës i ka bërë shtëpitë të pabanueshme dhe ka rrezikuar banorët e fshatit Hekal të komunës me të njëjtin emër. Ngjarja ka ndodhur mesnatë, midis orëve të para të mëngjesit. Fshati Hekal ndodhet rreth 5 km larg qytetit të Ballshit. Dhjetëra shtëpi banimi janë dëmtuar edhe gjatë dy ditëve të fundit në këtë fshat si pasojë e shkarjes së tokës. Vetëm në fshatin Hekal janë shkatërruar 20 shtëpi, 5 prej të cilave janë bërë plotësisht të pabanueshme. E gjithë lagjja “Ibrahim Celepia” në fshatin Hekal rrezikohet nga shembja e dheut. Shirat e ditëve të fundit dhe shkarja e dherave nga paqëndrueshmëria e tokës i ka detyruar banorët e kësaj lagjeje ta gdhijnë natën jashtë, ose në kasollen e bagëtive. Ditën e djeshme në vendngjarje kanë mbërritur edhe mjete të rënda, të cilat janë përpjekur të heqin masivin e rënë të dheut për t’u hapur rrugën banorëve që kanë shtëpitë e tyre në këtë lagje. Banorët shprehen se janë në qiell të hapur dhe nuk mund të përballojnë vetë situatën deri në kapërcimin e saj.
“Këtu ka ndodhur një katastrofë e madhe, - thotë Drita Begaj, banore e fshatit Hekal. - Ka shkarë dheu. Para 3-4 vjetësh ndodhi e njëjta gjë dhe qeveria nuk mori asnjë masë, as nuk na dha ndonjë ndihmë.” Specialistët thonë se është diskutuar nga shtabi i emergjencës kjo gjendje e fshatit Hekal dhe është gati një studim i hollësishëm, që synon mënjanimin e mëtejshëm të shembjes së tokës.